Kulturë

Kulturës i hapet një mundësi për qasje në fonde e përvoja ndërkombëtare

Prishtinë, 22 shkurt - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka marrë konfirmimin për anëtarësim në Federatën Ndërkombëtare të Këshillave të Arteve dhe Agjencive të Kulturës IFACCA. Ky është një rrjet global me rreth 80 vende anëtare në mbarë botën.

Kosova që nga e marta është anëtari më i ri. Bartës i këtij procesi për anëtarësim ka qenë Task-forca për anëtarësimin e Kosovës në institucionet e mekanizmat ndërkombëtarë të kulturës, e themeluar në qershor të vitit të kaluar me propozim nga MKRS-ja, miratuar nga Qeveria e Kosovës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Artan Ahmetaj, udhëheqës i kësaj Task-force ka thënë se ai ishte bërë pjesë e samitit të shtatë që ka organizuar kjo IFACCA në tetor të vitit të kaluar dhe me këtë rast kishte dërguar kërkesë për anëtarësimin e Kosovës.

Sipas tij, përveç kësaj kërkese dhe bisedave joformale nuk u është dashur më shumë punë për t’u bërë pjesë e këtij rrjeti, i cili është i themeluar në vitin 2000 me seli në Sidnei të Australisë. Misioni i kësaj federate është krijimi i bashkëpunimit efikas dhe afatgjatë në sektorin e artit e të kulturës mes shteteve anëtare me qëllim të ndarjes së njohurive dhe përvojave për të zhvilluar dhe forcuar këtë fushë e po ashtu për të nxitur dialog.

Anëtarësimin në këtë federatë kryetari i Forumit Kulturor, Florent Mehmeti, e ka konsideruar si një mundësi shumë të mirë, megjithëse dyshon në efikasitetin e MKRS-së për të sjellë rezultate pozitive nga ky anëtarësim... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.