Kulturë

Violinisti shtegtar nëpër 200 vende të botës

Foto: Driton Paçarada / Koha Ditore

“Më quaj thjesht Abdul, se s’mund të them se jam violinist veç pse i bie violinës. Tingujt që prodhoj s’më bëjnë muzikant. Artist mbase ia arrij të bëhem një ditë, por akoma jo. Ajo ditë nuk ka ardhur”, prezantohet Abdul Medina nga Guatemala. 

Teksa fut violinën në çantë, mbledh centët e dhuruar dhe niset drejt një këndi tjetër të sheshit të kryeqytetit për të performuar. Dielli i asaj së enjteje i bie në sy, çantat i rëndojnë mbi supe, por rrëfimi vazhdon mes njerëzve që e kanë rrethuar për ta dëgjuar, shkruan sot Koha Ditore.

Të gjithëve u bie në sy dhe me t’u afruar bëjnë gati telefonat e mençur për të shkrepur fotografi a për të bërë video. 

Abdul thotë se në bazë të dukjes nganjëherë njerëzit e paragjykojnë llojin e muzikës që ai luan duke e përshkruar si reggae ose rasta, e atë si hippie, por Abdul thotë se në të vërtetë luan me violinë melodi të dëgjuara në afro 200 vende të botës. 

Aq janë destinacionet e tij prej se ka nisur këtë rrugëtim më 2016. Por ai thekson numrin e llogaritë në qytetet e fshatrat ku ka performuar. “Kam qenë në 200 shtete, qytete e fshatra të botës. Nuk e di sa kilometra mund t’i kem bërë deri më tash, por e di se do të vazhdoj rrugëtimin për aq kohë sa muzika ime pëlqehet”, thotë ai. 

Muzika si udhëtim i gjatë

Nga mënyra se si Abdul Medina performon dhe sa i lidhur është me instrumentin e violinës, mund të ngjajë se me dekada ka ushtruar, por ai veten e quan violinist goxha të vonë. Është 26 vjeç dhe violinën kishte filluar ta mësojë tek në moshën 15-vjeçare. 

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)