Kulturë

Hapet ekspozita “Hasjania” në Prizren

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në hapjen e ekspozitës së skulptorit Luan Mulliqi, të titulluar “Hasjania”, e cila u organizua në Galerinë e Hamamit në Prizren, aktivitet ky i organizuar nga MKRS-ja pas hapjes së zyrave të saj në qytetin jugor të Republikës së Kosovës.

Ministri Gashi, siç njofton kumtesa, tha se në ditën më të rëndësishme të arsimit shqip, më 7 mars po hapin këtë ekspozitë.

“Ju do të thonit se çfarë lidhje ka 7 marsi me hasjanët, unë do të shtoja se mësuesi i shkrimtarëve të parë shqiptarë ishte Pal Hasi, nga i cili kishin mësuar Gjon Buzuku e Pjetër Budi, për të vazhduar më pas me Pjetër Bogdanin e Pjetër Mazrrekun, që gjithashtu janë nga Hasi i Skënderbeut. Andaj edhe unë u lumturova kur dëgjova për këtë ekspozitë dhe me kënaqësi e pranova që të jetë nën organizim të Ministrisë për Kulturë Sport dhe Rini”, u shpreh ministri.

Gashi foli edhe për artistin Luan Mulliqi, me ç’rast vlerësoi se prezenca e tij e nderon qytetin e Prizrenit. Ai tha se akademik Mulliqi ka realizuar ekspozita personale në vende të ndryshme të botës si dhe në hapësirën mbarëshqiptare, e tani këtë radhë vjen edhe në Prizren, në qytetin shpirtëror të shqiptarëve, edhe javë më parë MKRS-ja ka hapur zyrat e saj.

“E veçanta e kësaj ekspozite është shpalosja me përpikëri e veshjes së femrave hasjane, që pa dyshim është një ndër veshjet më unikale dhe të veçanta jo vetëm në vend, por edhe më gjerë. Ndaj, pikërisht kjo veçanti dhe vlerë e trashëgimisë së veshjeve hasjane, e frymëzoi skulptorin Mulliqi, që të skulpturojë për disa vite 40 skulptura”, tha Gashi.

Skulpturat që u paraqitën në këtë ekspozitë janë të punuara nga mermeri, bronzi, druri, alumini, magoni e materiale të tjera, klasike e modern dhe përmes saj synohet të dëshmohet se trashëgimia jonë kulturore duhet të pasqyrohet sa më shumë brenda dhe jashtë vendit.

Ministri Gashi tha se nuk do të mungojë përkrahja jonë si institucione, sepse trashëgimia kulturore e jona është pasaporta që dëshmon për lashtësinë, vlerat artistike dhe njerëzore të shqiptarëve në Evropë dhe në botë.

Ndërsa akademik Mulliqi shprehu falënderimin e tij për mundësinë e dhënë që veprat e tij artistike të kenë mundësinë të shfaqen në qytetin që është vatër e kulturës shqiptare.