Kulturë

Mozaiku i artit kosovar në Bienalen e Artistëve të Evropës e Mesdheut

Descriptive Text

Prishtinë, 25 prill - Artistë të rinj nga Kosova do t’u bashkohen kolegëve të tyre nga vende të ndryshme në Bienalen e Artistëve të Evropës dhe Mesdheut. Jetullah Sylejmani, Alban Fejza, Yll Xhaferi, Leart Rama dhe grupi “Oborri”, në formacion të Arbër Salihut dhe Tomor Kuçit, do ta prezantojnë vendin në edicionin e 18-të të kësaj bienaleje. Për herë të parë Shqipëria do të jetë nikoqire e ngjarjes që bashkon artistë të rinj nga Evropa dhe Mesdheu. Kjo ngjarje multidisiplinare organizohet nga BJCEM (Biennale des jeunes créateurs de l’Europe et de la Méditerranée/Bienali i krijuesve të rinj të Evropës dhe Mediteranit), anëtare e të cilit rrjet tashmë është bërë edhe Galeria Kombëtare e Kosovës. Pos artistëve, nga Kosova janë dhe dy kuratorë: Eroll Bilibani, drejtor ekzekutiv i “DokuFest” dhe Alban Nimani, frontmen i “Asgjë Sikur Dielli”.

Me gjithë titullin bienale, katër edicionet e para ishin anuale, prej vitit 1984, kur u mbajt edicioni i parë në Barcelonë. Vetëm në vitin 1990, kur u mbajt në Marsej, nisi të organizohej çdo dy vjet dhe prej atij edicioni nisi të lëvizë prej një shteti në tjetrin. Artistët që prezantohen në këtë ngjarje i bazojnë veprat me temën e propozuar nga drejtori artistik që kësaj radhe është Drian Zeneli. Në këtë ngjarje do të marrin pjesë 230 artisë nga Evropa dhe rajoni i Mesdheut, në mesin e të cilëve edhe artistët nga Kosova.

Alban Nimani është kurator për muzikë dhe njëherësh përzgjedhës i “Oborrit”.

“Është shumë e rëndësishme që edhe Kosova për herë të parë po prezantohet me disa artistë të rinj, por shumë të talentuar. Mund të flas për bendin që e kemi përzgjedhur, që është ‘Oborri’, dhe mund të them se ata përfshijnë disa sfonde në një zhanër, kanë prodhuar një muzikë mjaft avangarde”, ka thënë Nimani (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.