Kulturë

Prizreni me vendim që rregullon e hap rrugë për themelimin e muzeve

Anëtarët e Kuvendit të Komunës, të enjten, unanimisht kanë votuar vendimin për themelimin e muzeve të Prizrenit, si dhe Statutin përkatës. Drejtuesit komunalë kanë theksuar se në saje të kësaj vendimmarrjeje do të strukturohen me përmbajtje muzetë ekzistues, që janë nën menaxhimin e Qeverisë lokale, si dhe do të themelohen edhe disa muze të rinj.

Sipas vendimit në fjalë, organizimi, funksionimi, përbërja e strukturës organizative, drejtimi, udhëheqja, financimi, planifikimi, transparenca dhe çështjet e tjera të rëndësishme për muzeun, do të rregullohen në bazë të Ligjit për institucionet e kulturës dhe Statutit të muzeve të Prizrenit.

Propozimi i aktit të themelimit, si dhe Statutit të muzeve të Prizrenit është prezantuar nga kryesuesi i KK-së së Prizrenit, Artan Abrashi, shkruan sot Koha Ditore. 

“Fjala është që me vendim të KK-së të formohet një institucion kulturor, mbi bazën e Ligjit për institucione kulturore të Kuvendit të Kosovës, pra fjala është konkretisht për muzetë. Duke u nisur nga gjendja aktuale, ku muzetë në Komunën e Prizrenit nuk janë funksionalë, disa muze që janë nën kompetencë të MKRS-së kanë problematika në lidhje me funksionimin e tyre, ka ardhur një ide që si komunë ta bëjmë një strukturë ligjore, një vendim, i cili do të shërbejë si ombrellë për krejt muzetë, që rregullon përbërjen e tyre, mënyrën e funksionimit, financimit, e të tjera”, ka thënë Abrashi, para këshilltarëve. Ndërsa, sipas tij, me Statut përcaktohen veprimtaria, financimi e kompetencat e organeve drejtuese të muzeve të Prizrenit.

“Kemi një muze të Shtjefën Gjeçovit në Zym në gjendje jo të mirë, ku është i paqartë funksionimi i tij. Kemi muzeun në Landovicë, ka edhe muze të tjerë në Prizren, që janë themeluar, por nuk funksionojnë. Njëkohësisht është edhe ideja e themelimit të muzeve të rinj, si për shembull zona e Hasit, që mund ta ketë muzeun etnologjik apo mund të themelohet edhe muzeu i filigranit në Prizren. Prandaj, si komunë në bashkëpunim edhe me MKRS-në duhet që t’i plotësojmë kushtet e nevojshme që Prizreni të jetë pjesë e rrjeteve të qyteteve kulturore”, ka deklaruar Abrashi....(Më gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")