Kulturë

Abstraksioni i “Origjinalitetit” të Visar Mulliqit

Përmasa dhe variacione të ndryshme, kombinim i abstraksionit të lirë dhe ekspresiv me jetën reale, harmoni mes formave dhe ngjyrave të ndezura e kaos, ky është përshkrimi më lehtë që mund të bëhet për pikturat e Visar Mulliqit.

Arti i Mulliqit lidhet me abstraksionin si stil internacional i viteve ’50 dhe ’60, duke qëndruar mes abstraksionit të kontrolluar dhe racional nga njëra anë, dhe spontanitetit e ekspresionit nga ana tjetër, transmeton emisioni Express në KTV.

Ekspozita e tij e 16, “Origjinaliteti”, përmban rreth 30 piktura të dimensioneve të ndryshme dhe është e inspiruar nga udhëtimet e tij nëpër Kosovë.

Sipas Shkëlzen Maliqit, kurator i ekspozitës “Origjinaliteti”, në artin e Visar Mulliqit shihet përsosje e vazhdueshme ndër vite.

Arti i Visar Mulliqit cilësohet ndryshe dhe i veçantë dhe secila nga copëzat e tij e paraqet identitetin e tij si artist.

Për shkak të madhësisë së disa prej pikturave të përzgjedhura për t’u ekspozuar, “Origjinaliteti” i Visar Mulliqit është ndarë në dy pjesë.

Pas “Origjinalitetit” të Visar Mulliqit, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës do të ekspozohet arti i Jeta Kalaveshit, duke vazhduar më tej me skulpturë, pikturë dhe art konceptual.