Kulturë

Hapet ekspozita “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve” në ambientet e Kuvendit të Kosovës

Foto: Alban Bujari / Koha

Në Kuvendin e Kosovës është hapur ekspozita “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, me rrëfime të familjarëve të të pagjeturve, fotografi të Atdhe Mullës dhe të kuruar nga artistja dhe arkitektja Eliza Hoxha.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në fjalën e tij para të pranishmëve, tha se në 20 vjetët e lirisë dhe 11 vjetët e shtetësisë, Kosova ka pasur gëzimet dhe hidhërimet e saj.

Veseli tha se Kosova ka arritur t’i sanojë pasojat materiale të luftës, por pjesa shpirtërore e saj mbetet ende një plagë e hapur, për faktin se ende nuk dihet për fatin e shumë njerëzve tanë.

Ai shtoi se plaga e të pagjeturve është ënde e pashëruar dhe ne duam drejtësi ndërsa tha se për këtë duhet të japë përgjegjësi Serbia.

“Në shumë raste, arti e shpreh dhimbjen dhe brengën më mirë se format tjera të shprehjes njerëzore dhe ky instalacion i Eliza Hoxhës na e dëshmon më se miri këtë. Kosova është një shoqëri që ecë përpara, punon për të ardhmen, por pa harruar asnjëherë të kaluarën, sakrificat e panumërta të popullit tonë për liri e dinjitet, pa harruar asnjëherë ata që na mungojnë tash e 20 vite. Të pagjeturit na mungojnë fizikisht, por në zemrat dhe mendjet tona kanë qenë e do të mbesin gjithmonë të pranishëm, sepse ata janë pjesë e pandashme e lirisë së kësaj toke”, tha Veseli.

Bajram Qerkini, përfaqësues i familjeve të të zhdukurve, tha se dhimbjet e familjarëve të të pagjeturve duhet të thuhen para të gjithëve.

“Dhimbja e atyre që po na thërrasin, ‘hajde më merr babë’, ‘hajde më merr nënë’, ‘hajde më merr vëlla’, ‘hajde më merr motër’, po shkon në vendin ku duhet. Më nuk mund vetëm të flasim, por edhe duam të punojmë, ashtu siç e kemi programuar”, theksoi Qerkini, duke shpresuar se në të ardhmen do të ketë më shumë punë dhe më shumë rezultate në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Kuratorja e kësaj ekspozite, Eliza Hoxha, tha se shpreson që tashmë kjo ekspozitë e vendosur në korridorin e Kuvendit të Kosovës, do jetë një zile për t’i dhënë përgjigje çështjes së personave të zhdukur.

“Më vjen mirë që jemi në një institucionin i cili realisht ka një funksion tjetër, por i cili e ka hapur derën që diskutimi dhe dialogimi për çështjen e të pagjeturve, nëpërmjet një platforme tjetër, asaj artistike, të ndodhë në zemër të tij, pikërisht në kohën kur po përgatitet platforma e bisedimeve, në të cilën kjo çështje është pjesë thelbësore”, theksoi Hoxha.

Njëri nga ideatorët e kësaj ekspozite, Kushtrim Koliqi, tha se kjo ekspozitë është britmë e madhe në këtë objekt të rëndësishëm vendimmarrës, me shpresën se ehoja e kësaj britme do të shkojë në veshët dhe zemrat e njerëzve që vendosin, ngase, sipas tij, për familjarët e të pagjeturve, lufta nuk ka përfunduar ende.​