Kulturë

Shpat Deda performoi hitet e tij në Kino “Armata” për festën e dashurisë

Me një interpretim të shkëlqyer si dhe i përcjellë nga shumë duartrokitje, këngëtari me zërin më të ëmbël të estradës, Shpat Deda, mbrëmjen e së enjtes në Kino “Armata” në kryeqytet, e shënoi festën e dashurisë, duke interpretuar disa prej hiteve të tij muzikore, përfshirë këtu edhe këngë të reja.

Iniciativën për organizimin e këtij koncerti autorial, të cilin publiku mundi ta përcjellë falas, e ka marrë Komuna e Prishtinës, në bashkëpunim me Kino” Armatën”, raporton “Express” i KTV-së.

Në skenë, Shpati shoqërohej nga bendi i tij i përbëra nga disa prej muzikantëve më të shquar të skenës kosovare si: Nesim Maxhuni në daulle, Ilir Bajri në tastierë, Armend Xhaferri në kitarë dhe Fatlind Ferati në bass kitarë. -

Pavarësisht faktit se salla e Kino “Armatës” ka një hapësirë të madhe, të shumtë ishin ata që mbetën në këmbë me orë të tëra, për shkak të interesimit të madh të të rinjve për ta ndjekur këtë performancë të Shpatit.

Këngëtari Shpat Deda, tha se është ndarë tejet i kënaqur nga ky koncert.

Ai nuk hezitoi ta ndajë një mesazh për të gjithë qytetarët, për këtë festë të dashurisë.

Pjesëmarrësit, gjatë gjithë kohës këndonin me artistin duke e shijuar çdo këngë të albumit të tij. Por, Shpati para të pranishmëve i interpretoi edhe disa këngë të padëgjuara më parë.

Aktivitetet në Kino “Armata” nuk kanë të ndalur. Çdo natë aty shfaqen filma të ndryshëm. Gjatë këtij muaji po ashtu pritet të mbahet java e filmave të Tarantinos, si dhe në muajin mars në këtë lokacion do të performojnë artistë të ndryshëm të muzikës jazz.