Kulturë

Dua Lipa – Nga Salla e Kuqe në Prishtinë, në triumfin e dyfishtë në Grammy

Descriptive Text

Nga koncertet në Sallë të Kuqe, në koncertet e organizimet më të mëdha botërore ... nga video amatore duke kënduar, tani numëron miliona klikime në YouTube dhe jo vetëm.

Dikur vetëm një emigrante nga Kosova në Britani, tani ajo është fituese e dy çmimeve Grammy.

Këngëtare, tekstshkruese, e dikur edhe modele, Dua Lipa pa dyshim është një ndër ambasadoret kryesore të Kosovës në botë.

Ajo ka lindur në vitin 1995 në Londër dhe vjen nga një familje ku talenti muzikor nuk është risi. Babai i saj, Dukagjin Lipa, është i njohur si njëri ndër të parët në Rockun kosovar, me grupin e tij Oda.

Për të ikur nga dhuna dhe persekutimi serb që ishte në Kosovë gjatë viteve të 90-ta, familja e saj migroi në Britani të Madhe. Pas shpalljes së pavarësisë, ata u kthyen në Prishtinë dhe gjatë kësaj kohe, Dua filloi të publikojë në YouTube ripërpunimet e saj muzikore.

Pas disa vjetëve, ajo u rikthye në Londër për të zhvilluar një karrierë në muzikë, para së cilës punoi edhe si modele, gjë që i ndihmoi të krijojë kontakte me njerëz në botën e muzikës.

Në vitin 2013, ajo u bë pjesë e reklamës së X Factor UK dhe këtu filloi rrugëtimi i saj drejtë suksesit, transmeton KTV.

Në vitin 2015 ajo lansoi këngën e saj debutuese, New Love, që më vonë do të bëhej derë e suksesit të saj. Emri i saj u bë edhe më i njohur falë hitit të saj të parë, “Be the One”.

Talenti i Duas filloi të njihet nga mediat më të mëdha botërore, por kjo nuk i mjaftoi. Ajo nuk e ndaloi punën dhe vazhdoi të sjellë këngë të reja. Last Dance, Hotter than Hell dhe Blow Your Mind, e futën në listat e këngëve më të dëgjuara në të gjithë botën.

Po ashtu, edhe bashkëpunimet me Sean Paul dhe Martin Garrix ishin ndihmesë e madhe për të. Ajo u bë e njohur në të gjithë botën dhe zëri i saj u dëgjua gjithandej.

Pas punës gati dy vjeçare, me 2 qershor të vitit 2017 ajo më në fund lansoi albumin e saj debutues. “New Rules” theu rekorde dhe më në fund i dhuroi suksesin e merituar duke e bërë të dëgjuar në të gjitha kontinentet.

Të gjitha këto suksese, i siguruan vëmendje edhe nga ceremonia e çmimeve Grammy, ku në dhjetor të vitit të kaluar u nominua për dy çmime.

Por, lajm edhe më i madh për të dhe fansat e saj ishte triumfi i natës së mbrëmshme. Ajo arriti t’i rrëmbejë që të dyja çmimet dhe tashme mban titujt për “Artisten më të mirë të re” dhe “Këngën më të mirë Dance”.

Dua rishtaz është nominuar edhe në ceremoninë e çmimeve Brit Awards për videon më të mirë që pritet të mbahet me 20 shkurt, ku edhe aty parashikohet të korr sukses.

Përveç hiteve të shumta, Dua asnjëherë nuk e harroi Kosovën duke e potencuar gjithandej nëpër intervista, por dhe duke vizituar shpesh.

Madje ajo performoi edhe dy herë në Prishtinë, së fundmi në festivalin “Sunny Hill”, duke i dhuruar publikut kosovar një ndër organizimet më të mëdha të të gjitha kohëve.