Kulturë

Dështon shitja e pikturave që i atribuohen Hitlerit

Descriptive Text

Pesë piktura që thuhet se janë realizuar nga udhëheqësi nazist Adolf Hitlerit kanë dështuar të shiten në një ankand në Gjermani. Shtëpia e ankandit “Weidler” shpresonte të merrte 45 mijë euro nga vepra më e shtrenjtë.

Ankandi u mbajt në Nuremberg, qyteti gjerman dikur i njohur për tubimet masive të Hitlerit ku nazistët kryesorë u provuan më vonë edhe për krime lufte. Akuzat e falsifikimit e dëmtuan ankandin dhe kryebashkiaku i qytetit Ulrich Maly e përshkroi atë si “shije të keqe”. Shitja përfshiu edhe gjërat që thuhet se ishin në pronësi të diktatorit, në mesin e të cilave edhe një vazo dhe një karrige me një svastikë në njërën anë.

Nën sundimin e Hitlerit (1933-1945), Gjermania naziste filloi Luftën e Dytë Botërore, duke ndjekur një politikë që u shndërrua në gjenocid e rezultoi në vdekjen e rreth gjashtë milionë hebrenjve dhe dhjetëra miliona civilëve e luftëtarëve.

Shfaqjet publike të simboleve naziste janë kundër ligjeve aktuale në Gjermani, përveç disa rasteve të veçanta, si për shembull për arsye arsimore ose historike. Shtëpia e ankandit mori masa për të qenë në rregull me ligjet duke përdorur ndërhyrje në simbolet e paraqitura në katalogë.

Dhjetëra vepra arti, duke përfshirë edhe disa të vendosura për shitje, u konfiskuan nga shtëpia e ankandit javën e kaluar nga policia gjermane. Prokurorët thanë se gjithsej 63 sende që mbanin nënshkrimet "AH" ose "A Hitler" u konfiskuan.

Një hetim u hap për individë të paidentifikuar “me dyshimin e falsifikimit të dokumenteve dhe tentativave të mashtrimit”, ka thënë për AFP kryeprokurorja e Nurembergut, Antje Gabriels-Gorsolke.

Ajo konfirmoi se shtëpia e ankandit kishte bashkëpunuar dhe i kishte dorëzuar punimet vullnetarisht.

Shitjet e pikturave që pretendohet të jenë realizuar nga diktatori shpërfaqin rregullisht polemika dhe akuza për falsifikim.

Muajin e kaluar policia gjermane konfiskoi një koleksion në rrugë e sipër për t’u nxjerrë në shitje në Berlin, pas shqetësimeve për vërtetësinë e tyre.

Hitleri, i cili u refuzua dy herë nga Akademia e Arteve e Vjenës, dihet se ka shitur veprat e tij artistike në rininë e tij.

Dhjetëra vepra që i atribuohen atij, të cilat u konsideruan nga ekspertët e artit si të cilësisë së dobët, janë shitur gjatë viteve të ndryshme.

Në vitin 2015, shtëpia e ankandit “Weidler” shiti shumë piktura që atribuohen si punime të Adolf Hitlerit për gati 400 mijë euro.

Ofertuesit thuhet se vijnë nga Gjermania, Kina, Franca, Brazili dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në vitin 2014, shtëpia e ankandit shiti akuarelë të Hitlerit në sallën e qytetit të Mynichut për 130 mijë euro.

Shitja e relikteve naziste mbetet një temë përçarëse në mbarë botën.

Disa blerës thonë se kjo bëhet për arsye historike, por grupet e fushatës kundër paralajmërojnë se sendet janë blerë edhe nga anëtarët e grupit ekstrem të djathtë që idealizojnë regjimin.

Vitin e kaluar disa grupe në Mbretërinë e Bashkuar nxitën shitësit online për të rregulluar më mirë çështjen e shitjeve të relikteve naziste./BBC.