Kulturë

Pajtim Osmanaj zbulon si u inspirua nga puna në ndërtimtari për të krijuar vepra artistike

Më 2013 artisti Pajtim Osmanaj ishte vendosur në qytetin e New Yorkut duke u larguar nga vendlindja e tij, Kosova ku edhe kishte kryer shkollën e artit. Sapo kishte mbërritur në qytet, ai kishte filluar të punonte në ndërtimtari me ç’rast edhe kishte filluar të gjente frymëzim për karrierën e tij artistike, duke shfrytëzuar edhe materialet e gatshme për t’i shndërruar në vepra arti, shkruan Artnet në artikullin kushtuar artistit kosovar.

Derisa punonte në këso lloj punësh, Osmanaj do të krijonte murale të përkohshme në mure. Madje ai kishte kapur edhe syrin e të përditshmes New York Times që i kishte kushtuar edhe një artikull, transmeton Koha.net.

Ai për Artnet tregon se si e kishte frymëzuar puna në ndërtimtari.

“Kur së pari erdha në New York, kam punuar në ndërtim, dhe ndonjëherë duhej të pikturonim tërë dhomën duke përdorur makina me sprej. E ndonjëherë tavanin duhej ta bënim në vende të ndryshme, prandaj duhej ta mbulonim dyshemenë me pëlhurë për ta mbrojtur. Ne do të spërkatnim anash dhe nga kënde të ndryshme, kështu që pëlhura në dysheme mbivendosej dhe rrudhosej. Kur përfundonim gjithçka shefi kërkonte që t’i largoja pëlhurat, por kur i hapja e shihja se ato kishin mbajtur ngjyrën mbi pëlhurë, dhe ishin aq të bukura, prandaj i mbaja”, është shprehur Osmanaj.

Më tutje ai shton se, “në fillim i mora vetëm ato rroba, iu shtova pak ngjyrë ose dizajn dhe pastaj e nënshkrova emrin tim në fund. Kjo është mënyra se si jam inspiruar, duke parë ato rrudha që kanë krijuar formë dhe pikturë, ishe si magji”.

Ai thekson se fillimi i procesit është shumë mekanik.

“Thjesht copëtoj faqet e letrës, krijoj një teksturë mbi një letër të rëndë ose pëlhurë për të krijuar shirita dhe copa në madhësi të ndryshme. Më pas i krijoj rrudhat, thjeshtë duke e grumbulluar fletën. Pastaj me kujdes e shpalos letrën dhe e zbraz atë vetëm aq sa është pothuajse e sheshtë, por rrudhat janë ende atje, si një kujtim”, shprehet Osmanaj.

Ai thotë se secili punim është ndryshe, e edhe po të donte nuk mund ta rikrijojë të njëjtën, prandaj është gjithçka unike.

Osmanaj shton se dikur ishte më tepër një piktor klasik, duke e ditur saktësisht se si dëshironte që piktura të dukej në fund, madje edhe para se të fillonte. Kurse tani, thotë ai, i tërë procesi është pjesë e veprës artistike, është spontan.

{gallery}