Kulturë

Kërkohet që UNESCO mos ta njohë Lahutën vetëm si të serbëve

Ka afër dy muaj që nga koha kur shteti serb ka arritur që instrumentin e Lahutës ta regjistrojë si pjesë të kulturës së saj në UNESCO.

Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara tashmë e ka pranuar se “të kënduarit me GUSLE”, në këtë rast, Lahuta, i takon trashëgimisë kulturore të Serbisë.

Institucionet e kulturës në Shqipëri dhe Kosovë, po vazhdojnë të reagojnë, duke insistuar se Lahuta si instrument muzikor, u takon edhe popujve të tjerë ballkanas, raporton “Express” i KTV-së.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka deklaruar për KTV-në se Ministria të cilën e drejton, tashmë ka krijuar një dosje në të cilën argumentohet se Lahuta është përdoruar që nga periudhat e lashta në trojet shqiptare.

Nga ana tjetër, Komisioni parlamentar për Kulturë i Kuvendit të Kosovës, e ka dërguar një letër në adresë të UNESCO-s, në të cilën shkruan se instrumenti për këngët epike nuk i takon vetëm popullit serb.

Letra e komisionit të cilit i prin deputeti Ismajl Kurteshi, fillimisht është dërguar në Ambasadën e Kosovës në Paris, me synim që kjo e fundit ta dërgojë atë në adresë të UNESCO-s.

“Lahuta nuk shpreh identitetin kulturore të një populli të vetëm, në këtë rast atij serb. Lahuta është instrument i vjetër muzikor Kardofon. Ky instrument muzikor ka pasur përhapje në Evropë e jashtë saj. Edhe sot, disa popuj e përdorin lahutën, me disa dallime nga njëri-tjetri. Nga këto argumente të seleksionuara të cilat i posedojnë institucionet në Shqipëri dhe Kosovë, kemi për qëllim të dëshmojnë se lahuta nuk i takon vetëm një populli, por shumë popujve, e në mesin e tyre, edhe shqiptarëve. Shpresojmë se si të tillë do ta trajtoni edhe ju këtë instrument”, shkruan në letrën e Komisionit.

“Qëllimi i Komisionit është që së paku të themi që ky instrument muzikor nuk u takon vetëm serbëve, por edhe popujve të tjerë, përfshirë edhe shqiptarët dhe për këtë, japim argumente. Shpresoj që shtetet tona do të fillojnë të punojnë sa i përket kësaj çështjeje”, ka deklaruar deputeti Ismajl Kurteshi, i cili aktualisht i prin Komisionit parlamentar për Kulturë.

Ditë më parë në Kohavision, epikologu Zymer Neziti, kishte deklaruar se komisioni profesional i UNESCO-s në bazë të argumenteve, nuk është dashur të deklaronte se “Gusla” apo “Lahuta” është instrument që i përket rajonit.

Ministrja e Kulturës në Shqipëri, Mirela Kumbaro, kishte thënë se “nga delegacioni i Shqipërisë në UNESCO është vënë sërish në dukje se praktika kulturore e “Të kënduarit me lahutë” është historikisht e pranishme dhe është një praktikë kulturore e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Evropës Juglindore, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Mal të Zi, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci”.