Kulturë

Piktori Gani Llalloshi hap ekspozitën “Vallëzo me mua” në Kopër të Sllovenisë

Piktori akademik nga Kosova, që jeton dhe krijon në Slloveni, Gani Llalloshi, ka hapur një ekspozitë me punimet e tij të teknikës akuarel në Galerinë Meduza të qytetit bregdetar slloven, Kopër.

Tematika e trajtuar në këto piktura ka të bëjë me rrethin personal të autorit, nisur nga vendlindja e tij Kosova dhe viset e tjera shqiptare, shkruan Koha.net. Punimet e ciklit “Vallëzo me mua” janë motive të një folklori autokton dhe të ndërlidhura në projektin artistik “Nostalgjia”, i përshkuar me realizime artistike nga viset shqiptare e të motivuara nga punimet e hershme të qilimave të njohura autoktone.

Motivi i ciklit të punimeve të ekspozuara në tekniken akuarel është një vallëzim njerëzor, i cili në të kaluarën, por edhe sot, është kultivuar në viset jugore të shqiptarëve, pra edhe të Shqipërisë së Epirit, e të ndërlidhura me plot intimitete.

Punimet e ekspozuara të vallëzuesve me veshje kombëtare prezantojnë botën intime artistike të autorit, të motivuara nga viset prej nga ai e ka prejardhjen në pikëpamje të kulturës dhe gjeografisë autoktone.

Shtypi slloven e ka vlerësuar lartë hapjen e kësaj ekspozite dhe sidomos ka veçuar përkushtimin e autorit Llalloshi që edhe dashamirëve të këtij lloj arti t’iu ofrojë diçka autoktone e të prekshme të vlerave folklorike e shpirtërore të origjinës. Ai në pikëpamje artistike ia ka dalë që me këto punime të bëjë për vete dashamirë të artit jo vetëm në pikëpamje vizuale artistike, por edhe të përçojë tek ata edhe mesazhe të tingujve shpirtërorë autoktonë të vallëzimeve të trevave shqiptare, kanë vlerësuar kritikë sllovenë të artit.

Në hapjen e ekspozitës ka marrë pjesë edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Slloveni, Nexhmi Rexhepi, dhe dashamirë të shumtë të tjerë të artit.

Ekspozita “Vallëzo me mua” do të qëndrojë e hapur deri më 26 qershor të këtij viti.