Kulturë

Fati i ish-objektit të Armatës në Mitrovicë mbetet peng i politikës

Çështja e rrënimit ose jo të ish-shtëpisë së Armatës në Mitrovicë vazhdon të mbetet peng i zyrtarëve komunalë.

Ndonëse ata kishin premtuar zgjidhjen e kësaj çështjeje deri në shkurt të këtij viti, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Shoqëria civile këmbëngul që të mos rrënohet ky objekt. Lulzim Hoti nga organizata joqeveritare “7 Arte”, shpreson që zyrtarët komunalë kanë hequr dorë nga rrënimi i këtij objekti dhe se kjo është një temë tashmë e harruar.

Hoti më tej shtoi se nëse ky objekt rrënohet, qyteti humb edhe një shenjë të kujtesës kolektive.

Krahas shoqërisë civile, edhe qytetarët vazhdojnë ta kundërshtojnë rrënimin e këtij objekti, i cili sipas tyre është i vetmi që ua kujton qytetin e Mitrovicës.

Kundërshtimi i këtyre akterëve ka bërë që komuna e Mitrovicës të iniciojë debate publike për ridestinimin e pronës në të cilën gjendet ish-shtëpia e Armatës në këtë qytet.

Zyrtarë në komunën e Mitrovicës arsyetohen më faktin se, thirrja për debatin e dytë publik nuk është bërë pasi fillimisht kryetari Agim Bahtiri, kishte udhëtuar jashtë vendit, për t’u lënë më pas radhë disa çështjeve të tjera në këtë qytet.

Rrënimin e këtij objekti e kishte iniciuar vetë kryetari Bahtiri, i cili po ashtu kishte propozuar që në vend të saj të ndërtohet parking për automjete.

Pjesa dërrmuese e të pranishmëve në debatin e parë ishin unanimë që objekti si i tillë të ruhet, edhe pse u pat diskutuar për planet ekzistuese për ndërtimin e një objekti të ri për muzeun, si dhe alternativa për ndërtimin e shkollës së muzikës.

Në këtë objekt, i cili është ndërtim i vitit 1959, funksionojnë edhe tri institucione të tjera si: shoqata “Zëri i prindërve”, zyrat e gazetarëve dhe Emergjenca.