Kulturë

“Destur - Blasfemi e ëmbël” s’shkon në Zagreb sherri i mëditjeve

Descriptive Text

Teatri Kombëtar i Kosovës për vitin 2019 ka planifikuar që ta ndërkombëtarizojë punën e vet. Por nuk ka mundur t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së parë për ta dhënë një shfaqje jashtë vendit.

Shfaqja “Destur - Blasfemi e ëmbël” nuk do të jepet në Zagreb. TKK-ja nuk ka mjete për të paguar as mëditjet e ekipit të shfaqjes, që është dhënë premierë në Prishtinë në dhjetor të vitit të kaluar, shkruan sot Koha Ditore.

Unioni i Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë, në ftesën që i ka bërë TKK-së ka konfirmuar se do të mbulojnë shpenzimet e qëndrimit, sallës ku do të jepej shfaqja e ato të ushqimit. Pasi kishte marrë vesh gjendjen financiare, Unioni kishte konfirmuar po ashtu se do të mbulojnë edhe transportin dhe do të mundësojnë që ekipi, pa pagesë, të pajiset me viza kroate. TKK-ja nuk ka qenë në gjendje që të sigurojë vetëm mëditjet për ekipin. Institucionit më të lartë teatror në vend nuk i është ndarë ende buxheti për sivjet nga Ministria e Kulturës. E MKRS-ja nuk ka marrë përsipër të paguajë mëditjet për aktorët që luajnë në shfaqje, por nuk janë pjesë e ansamblit rezident të TKK-së.

Në vend të “Destur...” në programin “Ditët e Kosovës në Kroaci – 20 vjet liri” do të jepet shfaqja “Kreolët e Ballkanit” me autor e regji të Enver Petrovcit, produksion i tetarit eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë. Për një javë, nën organizimin e Unionit të Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë, do të shpaloset kultura kosovare. [Më shumë lexoni në Koha Ditore]