Kulturë

Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë sivjet shënon dy përvjetorë

Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë pasi ka përfunduar me aktivitet në dhjetor sa i përket shënimit të 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit–Skënderbeut, ka nisur punën për shënimin e përvjetorëve të figurave të tjera historike gjatë këtij viti. Kryeministri e themeluesi i shtetit shqiptar, Ismail Qemali, dhe albanologia e shquar Edith Durham do të jenë në fokus të institucionit më të lartë muzeor të Shqipërisë. Qemali, i lindur më 1844 në Vlorë, po në këtë qytet do të shpallte Pavarësinë e Shqipërisë më 1912. Më 24 janar shënohet 100-vjetori i vdekjes së tij. Vdiq në Perugia të Italisë.

E Durham, e lindur më 1863 në Londër, do të bëhej njëra prej udhëpërshkrueseve e studiueseve më me nam sa i përket Shqipërisë. Ajo ka marrë edhe epitetin Mbretëresha e Malësisë. Durham ka lënë pas disa vepra me këndvështrime të ndryshme sa u përket shqiptarëve dhe ballkanasve në përgjithësi. Viti 2019 shënon 75-vjetorin e vdekjes së saj.

Muzeu Historik Kombëtar do të organizojë disa aktivitete për nder të dy personaliteteve. Drejtori i këtij institucioni, Dorian Koçi, ka thënë se ngjarjet sa u përket personaliteteve të shquara do të nisin qysh në fillim të vitit duke trajtuar figurën e Ismail Qemalit. Menjëherë pas tij ka përmendur edhe Edith Durhamin e edhe ekspozitën për kontributin e partizanëve të batalionit të Antoni Gramshit në luftën antifashiste në Shqipëri. Koçi ka kujtuar se për nder të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, pas shpalljes së vitit 2018, si Viti mbarëkombëtar i heroit të shqiptarëve, janë organizuar aktivitete gjithandej nga gjenden shqiptarët, madje edhe në diasporë.

“Le të mos harrojmë që kanë ndodhur përkujtime të Skënderbeut, në të gjitha vendet ku ka shqiptarë nëpër botë. Automatikisht, edhe sikur ato të mos ishin të një niveli të lartë, tregojnë edhe një herë një nivel të lartë përfaqësimi të shqiptarëve rreth kësaj figure”, ka thënë Koçi.

Në shpalosjen e planeve për këtë vit, Koçi ka përmendur edhe hallet me të cilat përballet institucioni që ai drejton. Aktualisht shumica e institucioneve të kulturës dhe trashëgimisë kulturore në Tiranë janë duke u rinovuar. Por problem i madh për Muzeun Historik Kombëtar del të jetë ngrohja. Kësisoj, sallat e ekspozitave nuk janë në gjendje të përdoren për ekspozita gjatë motit të ftohtë.

“Ende vazhdon projektideja e linjës muzeale dhe në zbatim të saj, atëherë do të merren edhe hapat konkretë për restaurimin e plotë të kësaj godine”, citohet të ketë thënë Koçi, i cili ka marrë detyrën e drejtorit në shkurt të vitit të kaluar.