Kulturë

130 asete të trashëgimisë kulturore rrezikohen nga shkatërrimi

Rezultate alarmante ka prodhuar një raport hulumtues i CHwB-së për gjendjen aktuale të aseteve të trashëgimisë kulturore të vendit.

Njëqind e tridhjetë asete kulturore, aktualisht rrezikohen të shkatërrohen si pasojë e moskujdesit adekuat të institucioneve të shtetit ndaj artefakteve, bën të ditur emisioni “Express” i KTV-së.

Ky është raporti shqetësues që ka dalë nga hulumtimi i organizatës së pavarur “CHwB Kosova”, e cila është e përkushtuar për shpëtimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Gjatë një viti kjo organizatë ka marrë iniciativën për të gjurmuar në shkatërrimin që po iu bëhet objekteve të trashëgimisë kulturore.

Ky pasqyrim i gjendjes së trashëgimisë është bërë gjatë intervistimit të trekëndëshit: Shfrytëzuesve të objekteve historike; akterëve të nivelit qendror dhe atyre komunal.

Mostra e këtij hulumtimi ka përfshirë pesëdhjetë asete që janë në listë të mbrojtjes, të cilat në vazhdimësi po kërcënohen nga shembja.

Morina, si pjesë e grupit të hulumtuesve të këtij raporti nuk e ka përjashtuar mundësinë që të organizohet një tryezë, në të cilën do të diskutohej ky hulumtim përballë përfaqësuesve të institucioneve të trashëgimisë kulturore.