Kulturë

“Ndërtimi” me frikën që e tjetërson njeriun

Me fytyrë të baltosur, flokë të shprishur e vraga kthetrash në duar, aktori Maximilian Simonischek në skenë paraqet shtazën njerëzore të Kafkës.

Ashtu sikurse personazhi, i cili nuk definohet nëse është njeri apo kafshë, ai bëhet një me rrëfimin që Kafka e sjell në librin “Ndërtimi”.

Është një trajtim i thellë për botën e nëndheshme ku lumturinë e paranojën i ndan një vijë e hollë, shkruan sot Koha Ditore. Krijesa që mendon dhe flet është tamam e tillë siç përshkruhet në tregimin e papërfunduar të njërit prej penave më të shquara të shekullit XX.

Qenia këtu jeton në një gjendje të jashtëzakonshme. Është një alegori për shoqërinë, e cila në mënyrë konstante krijon rreziqe të cilat më pas mundohet t’i luftojë.

Pasojat e veprimeve dhe të mendimeve që e shtyjnë të veprojë, bëjnë që ai më pas të braktisë realitetin në të cilin jeton, si formë e ikjes ndaj përgjegjësisë. Simonischek, i cili prezanton kaosin në mes të euforisë dhe dyshimit më vete, ka punuar në interpretimin e narracionit në bashkëpunim të ngushtë me drejtorin e teatrit “Neumarkt” në Zürich, Peter Kastenmüller. Si e tillë kjo shfaqje erdhi edhe në Prishtinë. Premiera në Kosovë e kësaj monodrame u dha të enjten në teatrin “Dodona”.

Loja e Simonischekut, rrëfimi që ai e sjell i vetëm, përshtatet fort mirë me skenografinë e realizuar nga Besim Morina, i cili punon në teatrin “Neumarkt”. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)