Kulturë

“Skënderbeu…” në tentativë për portretizimin e heroit

Skënderbeu e ka hallin e atdheut. Por në tekstin e anglezit Thomas Whincop, “Skënderbeu ose dashuri dhe liri” heroi kombëtar paraqitet edhe në një tjetër dimension. Dashuria e tij për Arianisën shkon thuajse në të njëjtin nivel me atë për atdheun. Gati i tillë del edhe në shfaqjen me të njëjtin titull sikurse drama e shkruar para tre shekujsh, shkruan sot Koha Ditore.

“Skënderbeu ose dashuri dhe liri” që është dhënë premierë të premten mbrëma në Teatrin Kombëtar të Kosovës dallon goxha nga ai i Whincopit. Dramaturgu Fadil Hysaj, që është edhe regjisor i shfaqjes, ka futur në lojë edhe raportin e shqiptarëve me heroin. Realisht shfaqja del të jetë një tentim për ta paraqitur Skënderbeun në teatër. Një regjisor goxha ambicioz ia mësyn që nëpërmjet një kaste aktorësh ta bëjë Skënderbeun të pranishëm në artin e kohës kur jeton. Problemet e tij dalin të jenë të shumta. Regjisori që në shfaqje portretizohet nga aktori Shpëtim Selmani as vetë nuk e ka fort të qartë se ku ia ka mësyrë të dalë.

Skënderbeu i tij, aktori Bujar Ahmeti, nuk mund të futet në lëkurën e heroit. Bile eviton goxha skenat ku i duhet të shpreh dashuri. Është aso shfaqje, ku aktorët i gjuhën në qafë regjisorit që ata t’ia caktojnë rolet e skenat. Roli kryesor dëshirohet fort. Por kur aktorët vërejnë pavendosmërinë e regjisorit, ia shtojnë zullumin edhe më. Drama që inskenohet brenda “Skënderbeu ose dashuri dhe liri” i ngjan goxha edhe asaj që është bërë derisa shfaqja ka dalë në skenë. Të paktën dy aktorë i kanë lënë rolet për t’u kthyer prapë. Nuk e kanë pasur për prova a as për ta perfeksionuar lojën. Regjisori akuzohet për pamundësi intelektuale që ta fusë personazhin brenda aktorit, e ai konstaton se aktori nuk mund të bëhet sikurse personazhi. Ky plan në shfaqje zë shumë hapësirë...(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)