Kulturë

Hapet në Vjenë ekspozita “Takime Shqiptare”

Vjenë, 21 prill - Mbrëmë në hapësirat e Ambasadës së Kosovës në Austri është hapur ekspozita “Takime Shqiptare” të skulptorit Destan Gashi dhe piktores Barbara Gashi.

Ky cikël skulpturash mermeri, të realizuara në kohë të fundit nga artisti Destan Gashi paraqet femrën shqiptare me kostume tradicionale nga rajoni i Hasit.

Ambasadori Sami Ukelli, i cili bëri hapjen e ekspozitës, shfaqi kënaqësinë që Kosova ka artistë të tillë si Destan dhe Barbara Gashi.

Një nënë duke i dhënë gji foshnjës në djep, vajza hasiane duke bartur ujin veshur me kostumet e tyre tradiconale, janë vetëm disa prej skulpturave që duken jashtëzakonisht reale dhe pasqyrojnë fuqinë dhe bukurinë e femrës shqiptare.

Këto skulptura janë realizuar në gurë të fortë mermeri, të marrë në Kosovë dhe Austri.

“Duke i krijuar këto skulptura kam qenë jashtëzakonisht i motivuar. Nuk mund të ndalesha. Guri i përzgjedhur është tepër i fortë, mirëpo me dashuri të madhe dhe vendosmëri është gdhendur”, ka thënë skulptori.

Krahas skulpturave u ekspozuan dhe pikturat e Barbara Gashit.

“Ju po e shihni këtu një lojë skulpturash dhe pikturash që e plotësojnë njëra – tjetrën sikur ne të dy që e kompletojmë njëri – tjetrin”, tha piktorja Gashi, e cila është partnere në jetë dhe krijimtari e Destan Gashit.

Të pranishëm në hapje të ekspozitës ishin përfaqësues të ambasadave të huaja në Austri, përfaqësues të komunitetit shqiptarë në Vjenë dhe adhurues të artit nga komuniteti diplomatik ndërkombëtar dhe austriak.

Ekspozita do të qëndroj e hapur nga 21 prilli deri më 10 maj.

Kjo ekspozitë hap një cikël eventesh kulturore që Ambasada e Kosovës në Austri do të organizojë.

Zana Rugova, sekretare e parë në Ambasadë, njoftoi se këto evente planifikohet të ndodhin çdo dy muaj dhe do të prezentojnë artin dhe krijimtarinë e krijuesve shqiptarë për vendasit dhe të tjerët, që janë të interesuar për kulturën tonë.

Shteti austriak është shtëpia e një numri të konsiderueshëm të artistëve shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria.

{gallery}