Aktorët e TKK zmbrapsen nga greva pas premtimeve të ministrit

Aktorët e TKK zmbrapsen nga greva pas premtimeve të ministrit

21 prill 2017 12:01

Prishtinë, 21 prill - Premtimet për një kontratë kolektive dhe një takim për javën e ardhshme, në të cilin do të diskutohet gjendja e tyre, i kanë zmbrapsur aktorët nga protesta me grevë e bllokim të repertorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Pikërisht, në ditën e paralajmëruar për konferencë, në të cilën një grup aktorësh i trupës rezidente të Teatrit Kombëtar të Kosovës do të bënte të ditura detajet për fillimin e grevës e bllokimin e repertorit të këtij institucioni, ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit, Kujtim Shala, ka gjetur kohë për t’u marrë me kërkesat e tyre. Ai e ka pritur në takim një delegacion të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, në krye me kryetarin Rrahman Jashari, për të diskutuar lidhur me finalizimin e kontratës kolektive në sektorin e kulturës, ndërmjet MKRS-së dhe SBASHK-ut. Po ashtu janë përsëritur premtimet për ngritjen e pagave për krijuesit, performuesit dhe profesionistët e kulturës. Janë bërë tri javë qysh kur një grup aktorësh kishte paralajmëruar grevë pas protestës së mbajtur në Ditën Botërore të Teatrit. Kërkesat e tyre janë rritja e pagave dhe përmbushja e premtimeve të dhëna nga institucionet shtetërore tash e sa kohë. Me gjithë paralajmërimin për të marrë hapa konkretë, aktorët janë tërhequr.

“Në këtë takim u bisedua rreth finalizimit te kontratës kolektive në sektorin e kulturës, ndërmjet MKRS-së dhe SBASHKU-ut, me çka rregullohen çështja e punonjësve të sektorit të kulturës”, është thënë në komunikatë (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme