Kulturë

Loja magjepsëse në piano zbërthen botën e Chopinit

Prishtinë, 21 prill - Hapat e parë drejt skenës e deri tek ulja para pianos zakonisht duken si momentet më të rëndësishme për një muzikant - në këtë rast pianist.

Është ajo përgatitja emocionale, frymëmarrja, derisa duart janë vendosur mbi taste për t’i lëshuar pas pak sekondash, i ngjajnë një rutine për secilin para interpretimit. Por kjo nuk vlen për Eugen Ingjiqin. Është gjakftohtë, buzëqesh dhe në momentin që zë vend para pianos, pa humbur as edhe një sekondë, nis interpretimin. Duket sikur emocioni mungon, e skena shndërrohet në një ambient të mbyllur a shtëpi ku pianisti ulet për të ushtruar i vetëm.

Gjithçka ndryshon në momentin kur luan frazën e parë të veprës. Emocioni nis e del në pah, teknika e virtuoziteti bëhen tok, ndërsa loja në piano është fort atraktive. Kështu bëhet e qartë se Ingjiqi (70) dhe skena janë një. Ka 61 vjet që ka nisur karrierën. Ishte nëntëvjeçar kur performoi për herë të parë. Është ngjitur nëpër skenat më të mëdha botërore për të koncertuar. Ka sfiduar veten me veprat më të vështira që ekzistojnë në repertorin e pianos, prandaj edhe konsiderohet si “pianist dhe muzikant i jashtëzakonshëm”, “artist i veçantë e frymëzues”, si dhe “pianist i klasit botëror me përsosmëri të rrallë muzikore dhe artistike”. Të mërkurën mbrëma këtë e dëshmoi edhe para publikut kosovar. Solli një program shumë kompleks dhe vepra kërkuese në aspektin teknik. Ka zgjedhur pesë vepra të Chopinit për koncertin që mban emrin e këtij kompozitori. E ka nisur me katër “Mazurka”, nga gjithsej 60 sosh sa ka kompozuar Chopini gjatë jetës së tij. Mazurka është vallëzim tradicional polak, megjithatë Chopini shfrytëzoi mazurkën tradicionale si model dhe më pas i transformoi mazurkat e tij në një zhanër krejt tjetër, i cili më pas u bë i njohur si “zhanri i Chopinit”. Ingjiqi solli “Mazurka” në b-mol, e fundit në opusin e setit 24, një prej mazurkave më të njohura. E vlerësuar si “kryevepër e përsosur”, është pikë e rëndësishme në programin për shumë pianistë të mëdhenj. E tillë ka qenë edhe për Ingjiqin. Kjo vepër është lidhur mirë me formën e tij të interpretimit.

Drejtoresha e këtij festivali, Lejla Pula, është emocionuar me performancën e tij. Ka thënë se nuk ka mundur t’i mbante lotët e gëzimit nga performanca e pianistit të njohur (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.