Pas suksesit të befasishëm të filmit të parë, 'Guardians of the Galaxy', ishte vetëm çështje kohe deri sa të realizohej edhe një vazhdim i ri i kësaj historie që karakterizohet me aksion dhe komedi. Filmi 'Guardians of the Galaxy Vol. 2' e shënoi premierën botërore mbrëmë në Hollywood.
Edhe një herë personazhi i sjellë në ekran nga Chris Pratt, Peter Quill e udhëheq ekipin e tij të përbërë nga Gamora e personifikuar nga Zoe Saldana, Drax i sjellë në ekran nga Dave Bautista, Groot i personifikuar nga Vin Diesel dhe Rocket nga Bradley Cooper, në problem të reja, transmeton emisioni Express në KTV.
Kësaj radhe problemet vijnë nga dy burime, një racë e jashtëtokësorëve me lëkurë ngjyrë ari të udhëhequr nga Ayesha dhe nga babai i Quill-it, Ego, i cili në film personifikohet nga aktori Kurt Russell. Gjithashtu, ekipit në udhëtimin e tyre i bashkëngjiten edhe disa personazhe të reja si: Nebula, Yondu dhe Mantis.
Duke qenë se shumica e aktorëve të përfshirë në film është dashur të ngjyrosen dhe maskohen për rolet e tyre, dhe një pjesë e madhe e skenave të filmit janë xhiruar me kromaki, mbi qilim të kuq aktorët kishin treguar sa e çuditshme ishte kjo eksperiencë për ta.
Këtë javë u bë publik lajmi se regjisori, James Gunn, do të rikthehet në realizimin e pjesës së tretë të këtij projekti. Ndërkaq 'Guardians of the Galaxy Vol. 2', do të fillojë së shfaquri për publikun mbarë botëror nga 25 prilli.
-
20 prill 2017 22:24
-
Shpërndaje në: