Kulturë

Java e Filmit të Kosovës në Bujanoc synon të bëhet tradicionale

Prishtinë, 11 dhjetor − Me rrëfimin e protagonistit të filmit “Nëntor i ftohtë”, që shpërfaq një dramë për Kosovën e fillmiviteve ’90, është ndezur ekrani i madh në aktivitetin që është quajtur “Java e Filmit të Kosovës” në Bujanoc.

Të hënën në mbrëmje filmi i realizuar nga Ismet Sijarina, bashkëfinancuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, është shfaqur në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc. Deri më 15 dhjetor aty do të shfaqen edhe katër filma të tjerë, mes të cilëve “Tri dritare dhe një varje”, “Home Sweet Home”, “Një tregim Prishtine” dhe “T’padashtun”.

Ekipi i filmit “Nëntor i ftohtë” dhe përfaqësues të Qendrës Kinematografike të Kosovës kanë zhvilluar takim me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafa, me rastin e fillimit të këtij aktiviteti.

“Është kënaqësi që ka filluar një bashkëpunim kaq me vlerë, në mënyrë institucionale nga Qendra Kinematografike, Shtëpia e Kulturës dhe Këshilli Nacional, me shpresë që edhe institucionet e tjera nga Kosova do ta vazhdojnë këtë traditë kaq me vlerë për banorët e Luginës”, ka thënë Mustafa.

Drejtori i QKK-së, Arben Zharku, ka thënë se ky institucion e ka kënaqësinë që para audiencës në Bujanoc të shfaqë filma aq me vlerë në të njëjtën kohë kur ata po vazhdojnë të shfaqen në qendrat më të mëdha të botës.

“Kjo traditë do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme”, ka thënë Zharku/E.B.

(Më shumë, sot në “Kohën Ditore”).