Kulturë

“Martesa” shtrin fushatën për “Oscars” me platformë digjitale e kontrata distribuimi

Propozimi i Kosovës për “Oscar” në gjuhë të huaj, “Martesa”, me vënien në dispozicion nëpërmjet platformës digjitale për banorët amerikanë dhe kontratat e distribuimit në vende tjera, ka shtirë fushatën në katër anët e botës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Përveç prezantimit të filmit nëpër kinema të ndryshme, të cilat rezultuan edhe me mbulim mediash të gjerë nga mediume prestigjioze, filmi i Blerta Zeqirit është bërë pjesë edhe e një platforme digjitale. “Uncork’d Entertainment”, që ka të drejtat e shfaqjes së filmit në ShBA dhe Kanada, tashmë ka siguruar edhe një shfaqje në Los Angeles për t’iu dhënë rast anëtarëve të Akademisë prestigjioze ta shohin propozimin e Kosovës për garën e filmit më të mirë në gjuhë të huaj. Tashmë është siguruar shfaqje e “Martesës” në kinemanë “Laemmle të Glendale”. Pas saj pritet edhe New Yorku.

“Martesa”, për dallim prej filmave të tjerë që viteve të kaluara kanë qenë propozim i Kosovës për “Oscar”, ka arritur të ketë shtrirje më të gjerë. Aktualisht, ekipi i filmit ka kontrata distribuimi në katër anët e botës., duke filluar nga Koreja e Jugut, Azia juglindore, Australia, Polonia, ShBA-ja, Kanadaja dhe Amerika Latine.

“Martesa” prej datës 7 dhjetor është vënë në dispozicion për banorët e ShBA-së nëpërmjet një platforme digjitale me pagesë ku filmi mund të shikohet në “iTunes”, “GooglePlay”, “Amazon”, “YouTube”, “Vudu”, “Fandango Now” si dhe në disa kinema të zgjedhura.

Sipas Kreshnik Berishës, bashkëskenarist, shanset janë të vogla që “Martesa” të futet në listën e ngushtë, por kjo nuk do të thotë se ata do të ndalen së promovuari filmin.

“Martesa” që është në garë me propozimet e shteteve të tjera për “Oscars” në gjuhë të huaj ka në role kryesore aktorët Alban Ukaj, Adriana Matoshi dhe Genc Salihu. Trajton rrëfimin e një burri që e mban një fshehtësi nga gruaja e tij – është i dashuruar në shokun e tij të ngushtë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)