Qosja rikthen Arta Dobroshin në Kosovë

Qosja rikthen Arta Dobroshin në Kosovë

21 shkurt 2017 10:13

Plava dhe Gucia. Shitblerja. Skype. Shthurje... Shumë tregime mblidhen në një përrallë të vetme. Një përrallë e cila nuk është mbyllur e as nuk pritet të mbyllet deri në skenën e fundit. Një përrallë me tregime që dashur e padashur i kemi dëgjuar, por pak herë kemi marrë guxim të flasim për to. E pikërisht të gjitha këto rrëfime gati-gati rrëqethëse do të vijnë përmes filmit të metrazhit të gjatë “Skype”.

Me skenar e regji të Isa Qosjës e producent Bajrush Kajtazin, filmi “Skype” i subvencionuar për konkursit të fundit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, hapë kllapën e parë të xhirimeve më 15 maj. Një gjë të tillë e tregoi për KultPlus vetë regjisori Isa Qosja, si cili po ashtu në këtë intervistë bëri publik emrat e aktorëve, të cilët do ti jetësojnë personazhet kryesore të filmit “Skype”, për koproduksionin, për kamerën dhe për shumë detaje të tjera që kanë të bëjnë me jetësimin e filmit “Skype”.

“Akoma nuk ka përfunduar përralla, sepse jam ne konsultime dhe biseda rreth përmbajtjes së karaktereve me aktorët, koproducentët e xhiruesin. Natyrisht që karakteret e kanë rolin qendror në këtë përrallë dhe gjersa bisedoj me aktorët, përralla e “Skype” merr fizionomi të korrigjuar. Pra ndryshojnë rrethanat, situatat objektet dhe veprimet, e këto ndryshime sjellin me vete ndërhyrje në përrallë”, nisi kështu të tregojë regjisori Qosja.

Është një grua të cilës i vetëvritet burri dhe nëna e burrit të saj do ta rimarrë për djalin tjetër... Një burrë që ka dy gra, të vjetrën që e lë, sepse nuk i bënë fëmijë dhe të renë të cilën e blenë... Një i ri që ka emigruar në Amerikë dhe atje ka marrë kahe të shthurura... Një plak dhe një plakë që komunikojnë me të birin vetëm përmes skype... Një autist... Këto janë vetëm disa nga tregimet që përmban përralla e filmit “Skype”. Arta Dobroshi, Shkumbin Istrefi, Flonja Kodheli, Arben Bajraktaraj, Mirush Kabashi... janë disa nga aktorët që do të që sjellin këtë tregim përmes “Skype”. Isa Qosja tha se tek të gjithë këta aktorë ka besim të plotë.

“Mendoj që kësaj radhe roli i tyre është më domethënës, sepse tregimi është më shumë i bazuar në karaktere se në përmbajte. Pra secili nga ata e ka tregimin e vet. Jam në kërkim të vazhdueshëm të karaktereve që luajnë dhe tani për tani më inkurajojnë shumë. Paraprinë Arta Dobroshi, gjithsesi me qasje shumë serioze, profesionale dhe motivuese. Natyrisht që të gjithë të tjerët janë në nivelin e kërkuar dhe më shumë se kaq. Kam besim të plotë te të gjithë!”, u shpreh regjisori.

Lokacionet sipas regjisorit, janë zgjedhur sapo i është aprovuar projekti dhe sipas tij, shumë situata që janë në skenar në një mënyrë janë adaptuar në bazë të lokacioneve të zgjedhura. Kllapa e parë thamë se do të hapet më 15 maj, pikërisht në Mal të Zi, për shkak të ambientit pranveror dhe magjisë së natyrës atje në atë kohë. “Do xhirojmë dy ditë në Mal të Zi, e pastaj e ndërpresim xhirimin për të vazhduar më 20 gusht dhe komplet shtatorin”, theksoi ai.

Ky film për producent ka Bajrush Kajtazin, por padyshim që tashmë janë në kërkim edhe të producentëve të tjerë, pasi që, siç tha edhe vetë Qosja, kanë një buxhet shumë modest nga ana e QKK-ës. Tashmë veç është arrit një bashkëpunim me një producent francez, por përpjekjet e ekipës së filmit “Skype”, janë edhe për bashkëpunime të tjera me disa shtete. Xhirimet e filmit “Skype”, do të kryhen nga kameramani Gökhan Tiryaki, i cili pati xhiruar edhe filmin e kaluar të Isa Qosjës “Tri dritare dhe një varje”.

“Gökhan Tiryaki, këto ditë ishte në Prishtinë dhe biseduam për mënyrën se di do ta rrëfejmë me kamerë këtë përrallë. Bëmë një punë të dobishme me të. Ai sapo kishte përfunduar katër muaj xhirim në filmin e ri të Nuri Bilge Ceylanit. Tani thotë që sivjet ka vetëm edhe “Skype”, në agjendë, sepse është “shtrydhë” mjaftë në projektin paraprak. Përndryshe, puna me të është po aq e rëndësishme në përmbylljen e përrallës sa edhe puna me aktorët”, tha në lidhje me xhirimet regjisori Qosja.

Ai edhe njëherë për KultPlus e rikonfirmoi se premiera e “Skype” do të vijë në vitin 2018-të. Ai tha se nuk synon asgjë sa i përket festivaleve pa e parë se çka do të dalë filmi. “Natyrisht që me vepër arti gjithmonë synohet më e mira, por shpesh ndodhë të mos arrihet ajo...”, përfundoi kështu regjisori i njohur kosovar, Isa Qosja.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme