Kulturë

Në “Monet” u hap ekspozita me fotografi e Robert Lumezit

Prishtinë, 30 nëntor - Numra e doreza dyersh, mure e rrugë, ndërtojnë rrëfimin bardhezi. Nëpërmjet fotografive flet nostalgjia e një artisti që Prishtinën – qytetin e tij të lindjes – s’e ka parë për 28 vjet.

Rruga “Pablo Neruda” dallohet në fotografinë që në sfond kap gjysmën e një shtëpie. Të tjera pasqyrojnë detaje të vendeve në të cilat është rikthyer të shkelë Lumezi pas gati tri dekadash. Hapësira është elementi dominues në shkrepjet e Robert Lumezit, një fotograf autodidakt, i cili për të parën herë hapi ekspozitë në kryeqytet. “28 years after” titullohet ekspozita e hapur në galerinë “Monet” të enjten mbrëma.

Shtatëmbëdhjetë fotografi bardhezi, të realizuara në teknikën e negativëve, janë ekspozuar në atë që shënon rikthimin e Lumezit në shtëpi.

Fotografia flet në emër të kujtesës dhe ndjesisë së tij për Prishtinën.

“Jam rritur këtu dhe ishte ndjenjë e mirë të kthehem përsëri”, ka thënë Lumezi.

Në vitin 1990, në kohë luftërash në ish-Jugosllavi, i ati kishte vendosur që familja ta linte Kosovën. Ishin ndalur në Zagreb.

Lumezi aktualisht jeton në kryeqytetin irlandez, Dublin.

Fotografitë e Prishtinës ai i ka realizuar të gjitha gjatë vitit 2018.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)