Kulturë

Filmbërësi i përgjigjeve për romët

Përse romët bëjnë jetë ndryshe nga shqiptarët, kanë tjetër ngjyrë të lëkurës apo përse nuk trajtohen si të tjerët, kanë qenë vetëm disa nga pyetjet që Sami Musfata si fëmijë ishte munduar t’u gjente përgjigje. Shpjegimet sipërfaqësore që merrte, nuk do t’i mjaftonin. Mënyra që ai nisi ta përdorte për të marrë përgjigjet që kërkonte ishte nëpërmjet filmit. Nisi të dokumentonte jetën e komunitetit rom, duke i vënë në pah problemet sociale dhe politike me të cilat përballet shoqëria e tij, shkruan sot Koha Ditore.

I lindur e i rritur në Plemetin, ai krejt rastësisht u bë pjesë e botës së filmit. Ishte duke ndjekur shkollën e mjekësisë kur u bë pjesë e një punëtorie, në të cilën mësoi për filmbërjen. E kishte gjetur veten menjëherë. Dilema se a të vazhdojë shkollën e mjekësisë dhe të përfundojë duke punuar në Shtëpi të Shëndetit në Plemetin, apo të merret më seriozisht me botën e filmit, kishin qenë të mëdha. Por nuk ka gabuar që ka zgjedhur këtë të dytën.

Mustafa tashmë ka realizuar më shumë se 20 filma dokumentarë. Në vitin 2007 dokumentari “Rruga për në shtëpi” ishte shfaqur në Festivalin prestigjioz në Cannes. Po atë vit ai themeloi “Romawood”, shtëpi produksioni që fokusohet në çështjet e popullin rom. Ai, po ashtu, është një prej iniciatorëve për organizimin e festivalit “Rolling Fillm Festival”, në cilësinë e drejtorit artistik duke sjellë në Kosovë filmbërës nga mbarë bota. Edicioni i pestë u mbajt javën e kaluar.

Mustafa jeton në Francë, por dokumentarët e tij gati çdo herë trajtojnë jetën e romëve në Kosovë. Në njëfarë forme ai është bërë zëri i këtij komuniteti jashtë vendit, duke i shfaqur tregimet e tyre në mbarë botën. /Sihana Klisurica

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në “E Diela me Koha Ditore”)