Kulturë

Ministria me aheng falënderon veten për rritjen e pagave të artistëve

Ministrisë së Kulturës nuk i kanë mjaftuar dy konferenca për media – njëra në shtator e tjetra në nëntor – për ta kumtuar lajmin se krijuesit, performuesit e punonjësit profesionalë të trashëgimisë kulturore do të marrin paga më të larta.

Institucioni më i lartë kulturor në vend ka marrë përsipër që të paguajë një hotel luksoz në periferi të kryeqytetit në mënyrë që të mblidhen punonjësit e institucioneve vartëse për ta falënderuar Ministrinë e Kulturës dhe të parin e saj. MKRS-ja ka marrë përsipër që të akomodojë 200 veta në një sallë në mënyrë që të falënderohet ministri Kujtim Gashi për rritjen e pagave. E ngjashme me një fushatë elektorale, ndeja që është mbajtur të enjten mbrëma ka nisur me një video ku shpërfaqet rrugëtimi i rritjes së pagave. Aty del që ministri Gashi është zyrtar që e mban fjalën.

Fillimisht në emër të komunitetit artistik, që punon në institucionet e MKRS-së, ka folur aktori Adrian Morina. Ka thënë se shprehin konsideratë dhe respekt të veçantë për Gashin si ministër, i cili e mbajti fjalën e dhënë. Në këtë rast ka përmendur edhe kurorën mbretërore, shkruan sot Koha Ditore.

“Sot nuk jemi këtu t’ia vëmë kurorën mbretërore askujt, por deshëm që të jemi mirënjohës dhe të sinqertë, njashtu siç dimë të jemi kritik, këmbëngulës e të drejtpërdrejtë”, ka thënë ai, përderisa ka lexuar fjalimin e njëjtë me atë që e kishte lexuar aktorja Semira Latifi, në atë që ishte konsideruar si konferencë solemne për media në ditën e parë të këtij muaji në kabinetin e ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi.

Por artistët kanë harruar të përmendin se nga java e kaluar MKRS-në e kanë vërshuar ankesat. Në të gjitha institucionet e kulturës ka punonjës të pakënaqur me pagat e reja. Rritja e proklamuar prej 50 për qind në disa institucione nuk është realizuar fare. Gazeta ka raportuar se në disa raste rritja e pagës për dikë nuk arrin as 4 për qind.

Në këtë mbrëmje, ministri Gashi ka marrë fjalën për të mbajtur prapë një fjalim vetëlavdërues. Këtë e ka bërë për herë të tretë prej kur ishte miratuar Rregullorja nëpërmjet së cilës janë rritur pagat, në shtator të këtij viti.

Vetë Gashi ka thënë se bëhet fjalë për një ndejë falënderuese për MKRS-në/ Shaban Maxharraj. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).