Kulturë

Shoshi: Ish-“Gërmia” përfaqëson arkitekturën moderniste të Prishtinës, duhet të ruhet

Descriptive Text

Propozimi për ndërtimin e sallës koncertale në ish-objektin e shtëpisë së mallrave “Gërmia”, në sheshin e kryeqytetit zgjoi pakënaqësi te një pjesë e qytetarëve dhe organizatave të ndryshme, që nisën një peticion për ta ndaluar këtë veprim.

Ani pse ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, e vendosi këtë objekt në listën e Trashëgimisë për Mbrojtje të Përkohshme, para disa ditësh, Qeveria vendosi ta shpronësojë Administratën Tatimore nga ky objekt, për ta liruar për ndërtimin e sallës koncertale.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se e morën këtë vendim meqenëse Bashkimi Evropian investoi një shumë të madhe aty.

“Vendosëm pra ta shpronësojmë, ta bëjmë gati një pronë të Kosovës, pra Administratën Tatimore prej atij objekti dhe ai objekt është sallë koncertale, po pse është me rëndësi kjo, sepse kanë qenë 15 milionë euro të BE-së që hynë në Kosovë”, deklaron ai.

Ndërsa organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB) shndërrimin e këtij objekti në një sallë koncertale nuk po e sheh si zgjidhje të duhur.

Drejtori i kësaj organizate, Sali Shoshi, deklaron për KosovaPress se ky objekt do të ishte më i përshtatshëm për një muze bashkëkohor.

“Ish-shtëpia e mallrave Gërmia është një prej ikonave të qytetit të Prishtinës, e përfaqëson arkitekturën moderniste të Prishtinës, e ndërtuar në vitet e 70-ta, dhe ne mendojmë që ajo duhet të ruhet. Edhe sigurisht që ajo duhet të përshtatet edhe me nevojat që ka sot komuniteti, mirëpo, mendojmë që integriteti i saj fizik arkitektural, nuk lejon që ajo të përshtatet për sallë koncertale sepse pllakat të cilat janë aty, ato nuk mund të rrënohen e të përshtaten për sallë. Pra ajo mund të përshtatet për ndonjë funksion tjetër, ne mendojmë që propozimi për muze të artit bashkëkohor është propozim i përshtatshëm, por jo për sallë koncertale për shkak të integritetit të saj fizik edhe arkitektural që e ka”, thotë Shoshi.

Qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe arkitekti Ilir Gjinolli.

Ai thotë për KosovaPress se salla koncertale duhet të ndërtohet diku tjetër.

Sipas tij, nëse do të bëhet sallë koncertale, do të nevojiteshin shumë intervenime në këtë objekt.

“Ndërtesa nuk është e rëndësishme vetëm në aspektin arkitektonik. Ndërtesa e shtëpisë së mallrave është e rëndësishme edhe në lidhje me ruajtjen e një trashëgimie urbane....Unë mendoj që duhet me qenë racional, ta kërkojmë një lokacion tjetër edhe të krijohet një arkitekturë e cila i ka hije sallës së koncerteve. Nuk mund të krijojmë këtu një sallë të koncerteve e cila mund të shkrihet brenda këtij vëllimi, të mbulohet me këtë fasadë edhe të themi se gjithçka është në rregull me sallën. Po e thjeshtësoj, mendoj që në një lokacion tjetër arkitekti do të kishte liri ta shprehë imagjinatën edhe t’i ndjekë të gjitha rregullat teknike edhe funksionale për një sallë të koncerteve bashkohore”, ka thënë Gjinolli.

Si lokacion të përshtatshëm për sallën koncertale, ndër të tjerash, ai propozon hapësirën mes Pallatit të shtypit.

Ndërkaq, drejtori i Kulturës për komunën e Prishtinës, Yll Rugova thotë se komuna e ka të qartë porosinë e qytetarëve, andaj janë duke kërkuar për një zgjidhje të përbashkët.

“Bashkimi Evropian i cili është duke e mbështetur këtë projekt, e kanë pëlqyer lokacionin e ish-Gërmisë, por kanë kërkuar nga ne që të japim edhe një alternativë tjetër, që në rast se nuk mund të realizohet aty, të realizohet në një vend tjetër. Ne e kemi ofruar këtë lokacion, është përballë katedrales në Prishtinë, është ajo pjesa ku janë disa Baraka afër Radio Prishtinës edhe tash mbetet të shohim po ashtu në ditët në vijim, në bashkëpunim edhe me ta, por edhe në diskutim me qytetarët, ta përcaktojmë se cili është lokacioni më i përshtatshëm për të gjithë”, ka thënë Rugova.

Përndryshe, ish-shtëpia e mallrave “Gërmia”, e ndërtuar në vitet e 70-ta, ndodhet në qendër të qytetit dhe konsiderohet si një ndër ndërtesat më ikonike të modernizmit në Prishtinë.