Kulturë

Naime Beqiraj, pas 31 vitesh, fiton sërish çmimin e parë në Festivalin e poezisë në Vushtrri

Poetja Naime Beqiraj me poezinë ‘Mosbindje femnore’, është fituese e Festivalit të 36 të poezisë ‘Takimet e poeteshave shqiptare’, në Vushtrri.

Hapjen e këtij festivali, që tradicionalisht mbahet në Vushtrri, e ka bërë kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri, i cili ka vlerësuar se ndjehet shumë i lumtur që qyteti i Vushtrrisë tradicionalisht po arrin të mbledh poetet shqiptare në një manifestim të veçantë të poezisë.

Çmimi i dytë është ndarë poetes Medina Pasoma me poezinë ‘Emri yt’. Ndërsa çmimin e tretë i ka takuar dy poeteve, Blerina Tërbunja dhe Zade Kuçi. Çmimi i debutantes këtë vit i është ndarë poetes së re, Sadije Krasniqi.

Poeti i njohur vushtrrias, Nesim Spahiu, është nderuar me çmimin ‘Mysafir nderi’.

Vlerësimin e poezive e ka bërë juria në përbërje të Vehbi Miftarit kryetar, Elmaze Zaimi dhe Donikë Gashi, anëtare.

Poetja fituese Naime Beqiraj, është ndjerë e lumtur që pas 31 vitesh ka arritur që sërish ta fitojë Festivalin e poezisë.