Kulturë

“Tunizia takon Kosovën” ndalet edhe në teatrin “ODA”

Jazz-kitaristi kosovar, Taulant Mehmeti, me projektin “Tunizia takon Kosovën”, për të parën herë në histori, bëri që një audiencë tuniziane t’u ekspozohet tingujve të muzikës tradicionale shqiptare.

Para Tunizisë, më 6 të këtij muaji, ndalesa e këtij rrugëtimi muzikor qe “Bonafide”, klubi i basistit të famshëm Richard Bona, fitues i “Grammy Award”, shkruan sot “Koha Ditore”. Stacioni i tretë do të jetë Prishtina. Projekti muzikor që ka bërë bashkë Mehmetin me emra të njohur botërorë, siç është bateristi i njohur tunizian, Ayman Boujlida, do të shpaloset në teatrin “ODA”, të enjten.

“Shumë mund dhe energji kemi shpenzuar për ta realizuar këtë projekt, e duke iu falënderuar njerëzve të mirë, më në fund po ndodh. Jam shumë i lumtur që po vij në Kosovë pas një kohe të gjatë, me një bend të klasit botëror, nga New Yorku”, ka paralajmëruar Mehmeti, i cili nuk ka gjetur përkrahje financiare nga institucionet kosovare për ta sjellë edhe në Kosovë projektin “Tunisia meets Kosovo”.

Ministria e Kulturës e Tunizisë e kishte mbështetur dhe financuar projektin, ani pse Tunizia nuk e njeh Kosovën. Mehmeti, bashkë me bendin ka qëndruar atje, midis datave 10 e 15 prill, dhe ka mbajtur koncert e disa punëtori në Universitetin e Tunizisë.

Për tre muaj, Mehmeti kishte dërguar letra e kërkesa në Ministri të Kulturës, të Rinisë e të Sportit, Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, por nuk kishte gjetur përkrahje. Të dyja ministritë nuk i janë përgjigjur kërkesës, derisa Komuna e Prishtinës së fundi u ka premtuar mbështetje... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.