Kulturë

QRTK-ja e Prizrenit thotë se nuk është pyetur për rrënimin e shtëpisë në lagjen Bajrakli

Descriptive Text

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren përmes një njoftimi për media sqarohet se nuk është pyetur për rrënimin e shtëpisë së familjes Bylbyli, në lagjen Bajrakli në Zonën Historike.

Kësisoj, ky institucion thotë se është bërë shkelje ligjore me rastin e rrënimit të saj.

Megjithatë, sipas këtij institucioni, bashkëpunëtorë profesionalë të QRTK Prizrenit pas vizitës në terren kanë vlerësuar se ndërtesa e familjes Bylbyli ka qenë e degraduar me vite të tëra duke iu zëvendësuar pjesë dhe elementet origjinale me materiale bashkëkohore.

Lexo edhe: Prizreni humb shtëpinë e shekullit XIX me leje të institucioneve

“Ju njoftojmë se para disa ditësh në lagjen Bajrakli është rrënuar ndërtesa e familjes Bylbyli në ngastrën kadastrale 1919-0. QRTK e Prizrenit nuk është i njoftuar se kush dhe kur është bërë rrënimi i këtij objekti që gjendet brenda Qendrës Historike të Prizrenit (QHP). Në bazë të ligjit për QHP-në, Neni 8; Neni 16, pika 1; dhe Ligjit për Trashëgimi Kulturore Neni 4 pika 14; Neni 6, pika 7, 8 dhe 9; etj. theksohet se çdo ndërhyrje brenda QHP ose brenda zonës së mbrojtur duhet të ketë miratimin paraprak nga institucioni kompetent, respektivisht nga QRTK. Institucioni ynë nuk ka pranuar asnjë kërkesë zyrtare përmes procedurave ligjore për rrënimin ose çfarëdo ndërhyrje tjetër për shtëpinë në fjalë. Andaj, QRTK e Prizrenit vlerëson se është bërë shkelje ligjore gjatë rrënimit të shtëpisë së familjes Bylbyli dhe njëkohësisht kërkon që të ndërmerren masa ligjore nga organet kompetente ndaj shkelësve të ligjit për QHP dhe TK”, thuhet në njoftim.

Për hir të vërtetës, thotë QRTK e Prizrenit, se i duhet të japë sqarime shtesë rreth ndërtesës në fjalë dhe të demantojë deklaratat dhe akuzat e Kryetarit të Komunës së Prizrenit dhe zyrtarëve tjerë.

“QRTK e Prizrenit në kuadër të programit të punës ka identifikuar ndërtesat që janë brenda QHP-së dhe janë të rrezikuara. Në ndërtesat ku qaja nuk ishte e mundur për shkaqe të ndryshme, QRTK e Prizrenit ka kërkuar nga Drejtoria për Emergjencë dhe Siguri (nr. 375, dt. 05.09.2018) që të dalin bashkarisht në terren që ata të sigurojnë qasje në 5 ndërtesa ku nuk kishte qasje dhe njëra nga to ka qenë edhe shtëpia e familjes Bylbyli. Ekipi i përbashkët ka dalë në terren 24 dhe 25.09.2018 dhe ka vlerësuar 5 ndërtesat që janë në gjendje kritike (1. ndërtesa e familjes Llokvica; 2. ndërtesa e familjes Bardhi; 3. Hani dhe Nallbani i familjes Kovaç; 4. ndërtesa e çajtores “Menta” /gjysma tjetër/; 5. ndërtesa e familjes Bylbyli). Pas përfundimit të vizitës në terren grupi punues ka hartuar një raport përmbledhës për secilin ndërtesë (raporte të detajuara janë në arkivin e QRTK-së) me datën 28.09.2018”, thuhet në njoftimin për media.

Sipas këtij institucioni, bashkëpunëtorë profesionalë të QRTK Prizrenit pas vizitës në terren kanë vlerësuar se ndërtesa e familjes Bylbyli ka qenë e degraduar me vite të tëra duke iu zëvendësuar pjesë dhe elementet origjinale me materiale bashkëkohore.

“Veç kësaj shtëpia ka qenë e pa banuar që nga vitet ’90 të shekullit të kaluar dhe ka qenë e mbyllur derisa pronarët jetonin në shtete të jashtme. Duke qenë e pa banuar, e mbyllur dhe pa përkujdesje, kushtet atmosferike dhe faktori kohë ka degraduar edhe më tej ndërtesën edhe ashtu të zhvlerësuar nga pronarët kur aty banonin. Bashkëpunëtorë profesionalë të QRTK Prizrenit kanë konstatuar se gjitha elementet në enterier dhe eksterier (përveç konstruksionit të mureve dhe kulmit) janë zëvendësuar me të reja dhe nuk ka pasur asnjë element origjinal të kohës së ndërtimit si shkallë, musandra, tavane, oxhaqe, dyer, dritare, etj. Përveç saj në pjesën e hyrjes është shtuar një ballkon prej betonit të armuar që edhe më tepër ka përshpejtuar destrukturimin e ndërtesës. Pra nga ndërtesa është ruajtur vetëm silueta e një shtëpie tradicionale në kuadër të lagjes ku në rrethinë gjitha ndërtesat janë të reja. Duke parë gjendjen faktike bashkëpunëtorët e QRTK-së kanë bërë një rilevim të shpejtë për dokumentim dhe kanë vlerësuar se ndërtesa përveç gjendjes së rëndë fizike, ajo nuk përmban vlera arkitektonike, etnologjike, artistike, artizanale, etj, dhe nuk e përmbush kriteret për të vlerësuar si monument kulture”, thuhet në fund të njoftimit.

{gallery}