Murati: Rikthimi i Nolit në atdhe obligim i të gjithë shqiptarëve

Murati: Rikthimi i Nolit në atdhe obligim i të gjithë shqiptarëve

20 shkurt 2017 17:56

Sipas ministrit të Diasporës, Valon Murati, nuk ka historia e kulturës dhe politikës shqiptare figurë më poliedrike se Fani Noli.

Madje, sipas tij, nuk ka diçka më konsensuale në veprimet politike të Nolit sesa autoqefalia e ortodoksisë shqiptare, e cila përfundimisht e ka çimentuar unitetin e kombit shqiptar dhe faktin se ky komb është krijuar duke integruar fetë e ndryshme e jo duke u bazuar në ndonjërën prej tyre.

“Kisha kënaqësinë që së bashku me komunitetin shqiptar në Boston dhe përfaqësuesit e shoqatës ‘Kosova’ të vizitojmë Katedralen e Shën Gjergjit, e njohur si Kisha e Nolit, aty ku më 1908 filloi beteja për autoqefalinë e kishës ortodokse shqiptare”, ka thënë Murati, përcjell Koha.net. “Isha i nderuar me pritjen e bërë nga At Arthur Liolini i cili na shpjegoi për historinë e kishës dhe rolin e Nolit. Sigurisht edhe për shkak të kontekstit nuk më ka rënë të vizitojë një objekt fetar me aq shumë simbole kombëtare”, ka shtuar më tej ai.

Murati ka treguar se më pas kanë vizituar edhe varrin e Nolit dhe varrin ku ka qëndruar Konica para se të kthehej në atdhe.

“Sigurisht është obligim i të gjithë shqiptarëve që amanetin për kthimin e trupit të Nolit në atdhe ta bëjmë sa më shpejt realitet”, ka thënë Murati.

“Në mbrëmje u takuam edhe me aktivistë e biznesmenë të komunitetit shqiptar dhe përfaqësues të shoqatave ‘Kosova’ dhe ‘MAS Besa’ me të cilët biseduam për projektet e ministrisë në fushat e arsimit, kulturës dhe ekonomisë si dhe mundësive të thellimit të bashkëpunimit me komunitetin shqiptar në Boston. Përfaqësuesit e bizneseve i informuam edhe për çështje konkrete rreth projekteve të cilat ata planifikojnë t’i realizojnë në Kosovë”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme