Kulturë

Botimet KOHA kryesojnë listën e donacioneve për lexuesit

Descriptive Text

Prishtinë, 13 prill - Me donacionin e Grupit “KOHA” në krye të listës, përfaqësues të bibliotekës kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani” kanë përmendur të gjithë ata që mes periudhës prill 2016 e 2017 kanë dhuruar libra për lexuesit. “Dita e donacioneve dhe promovimi i botimeve të Grupit ‘KOHA’”, është titulluar aktiviteti i mbajtur të martën në ditën e dytë të “Javës së Bibliotekës në Kosovë”.

Janë përmendur të gjitha donacionet që ka marrë dhe ka bërë Biblioteka Kombëtare e Kosovës gjatë periudhës njëvjeçare. Me theks të veçantë, është përmendur donacioni i Grupit “KOHA”.

Më 31 mars, e përditshmja “Koha Ditore” ka shënuar 20-vjetorin e themelimit dhe më këtë rast lexuesve u ka dhuruar 13 mijë ekzemplarë librash që përfshijnë 70 tituj të fundit të Botimeve “KOHA”. Drejtoresha menaxhuese e Grupit “KOHA”, Flaka Surroi, dhe drejtori i bibliotekës kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku, kishin nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi që përcakton se BKK-ja t’i shpërndajë librat në bibliotekat e vendit dhe në ato jashtë vendit, me të cilat bashkëpunon ky institucion. Para 5 vjetësh, Grupi “KOHA” dhuroi 30 mijë libra.

“Dita e donacioneve tanimë është bërë traditë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, e cila mbahet çdo vit gjatë ‘Javës së Bibliotekës në Kosovë’. Edhe dje, me rastin e promovimeve të Botimeve “KOHA”, që kanë meritë të veçantë, kemi kënaqësinë të paraqesim para jush të dhënat dhe koleksionet nga ky grup dhe nga donatorët e tjerë të cilët i dhuruan”, ka thënë Ramize Bajraktari, shefe e Departamentit të Arsimit në BKK. Ka numëruar koleksionet dhuratë që ka bërë Biblioteka Kombëtare e Kosovës për Bibliotekën Popullore të Ulqinit, bibliotekën e shkollës fillore “Skënderbeu” të Krajës, bibliotekën e shkollës së mesme të ulët “Halil Bajraktari” në Drenas, për bibliotekën e burgjeve të Kosovës dhe për bibliotekën e shkollës së mesme të mjekësisë “Luciano Motroni” në Prizren.

“Kurse për bibliotekën, koleksionet e pranuara dhuratë nga donatorët e tjerë janë, Grupi “KOHA”, i cili këtë vit ka dhuruar 13 mijë ekzemplarë për të gjitha bibliotekat komunale të Kosovës. Kurse në vitin 2012, ka qenë një shumë prej 30 mijë ekzemplarësh për shumë biblioteka brenda dhe jashtë vendit”, ka thënë Bajraktari.

Veç kësaj, ka përmendur edhe donacionet e tjera që i janë bërë BKK-së si biblioteka personale e Esad Mekulit, Shefki Ukaj që ka dhuruar 654 libra e revista, Ymer Bytyqi, Fehmi Cakolli nga Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës dhe atë të Bibliotekës së Ulqinit.

Anita Toçi, përgjegjëse për marketing në Grupin “KOHA” ka siguruar që do të vazhdohet tradita e dhurimit të librave (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.