“Bafta” për “Home” dëshmoi të ardhmen e kinematografisë kosovare

“Bafta” për “Home” dëshmoi të ardhmen e kinematografisë kosovare

20 shkurt 2017 11:03

Prishtinë, 20 shkurt – Suksesi i filmit “Home” në ceremoninë prestigjioze të çmimeve “Bafta” në Britani të Madhe, përveç se bëri kthesë historike për kinematografinë kosovare, dëshmoi se Kosova ka kapacitete dhe talente të shumta në fushën e filmit.

Kjo falë punës që ka bërë ekipi kosovar në realizimin e filmit 20-minutësh nën regji të Daniel Mulloy. Me të tilla deklarata anëtarët e ekipit të filmit “Home”, të shtunën mbrëma, kanë aterruar në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Home” – kooproduksion mes Kosovës dhe Anglisë – me datën 12 të këtij muaji, triumfoi në “Bafta” duke marrë çmimin për filmin më të mirë të shkurtër britanik. Mulloy, me producentët Arta Dobroshi, Shpat Deda e Shpend Qamili janë rikthyer triumfues në Kosovë me trofeun e ceremonisë që nderon arritjet filmike britanike e ndërkombëtare. Arritja e tyre në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” dhe pritja që iu bë ekipit të filmit janë transmetuar direkt në Kohavision për shikuesit e emisionit “Express”.

Në një intervistë për KTV-n, Mulloy e ka shfrytëzuar rastin që ta falënderojë ekipin e tij në Kosovë, i cili, sipas tij, ka bërë një punë të madhe për realizimin e “Home”. E falënderimin e bëri në shqip.

“Faleminderit shumë”, ka thënë Mulloy. Respekti duket se është reciprok. Derisa ai ka sjellë statuetën e çmimit “Bafta” në Prishtinë, në aeroport u prit me një dhuratë.

“Daniel, faleminderit për dashurinë që ke treguar ndaj nesh dhe shtetit tonë. Do të jemi falënderues përgjithmonë. Të duam. ‘Home’- ekipi nga Kosova”, shkruhej në një copë kalldrëmi që i ka dhënë ekipi i festivalit “DokuFest” Mulloyt. Kalldrëmi është simbol i çmimeve që ndan ky festival.

“Home” vjen si thirrje për botën që të pranojë refugjatët dhe se të njëjtin fat mund ta ketë çdo kush, pavarësisht vendit ku jeton. “E braktis vendlindjen vetëm kur e ndien se vdekja është afër”, kishte thënë Dobroshi në një intervistë për “The Hollywood Reporter” ku kishte folur pikërisht për refugjatët... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme