Kulturë

Nesër në Prishtinë shënohet Festa e Muzikës 2018

Descriptive Text

Ambasada e Francës në Kosovë dhe Aleanca Franceze e Prishtinës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, me rastin e Festës së Muzikës, organizojnë disa koncerte në kryeqytet.

Sipas njoftimit për media, programet për Festën e Muzikës do të nisin nesër, nga ora 17, në amfiteatrin e Sheshit “Zahir Pajaziti”. Bëhet e ditur se koncertet janë falas.

Fête de la Musique (Festa e Muzikës) festohet në të gjithë botën që nga viti 1981, dhe është një ngjarje e madhe popullore, falas e hapur për të gjithë muzikantët, amatorë të të gjitha niveleve dhe profesionistë. Në Kosovë organizohet që nga viti 2000. Ky festival është në rrugë për t'u bërë një traditë e pritur dhe e çmuar e publikut kosovar.

Në program do të ketë:

• 17:00-18:30 Grupe të organizuara nga Qendra Kulturore e Fëmijëve Prishtinë (Kori i Qendrës Kulturore të Fëmijëve, Studio e baletit “Mjellmat”, solistët e QKF, grupi “Xixëllonjat“, Studio e baletit “Behia's Dance“, valltarët e Qendrës Kulturore të Fëmijëve;

• 18:30-19:00 Grupi Get up Dance (performancë hip hop)

• 19:00-20:00 pauzë

• 20:00 Koncert – Elsa Hyseni

• 21:00 Koncert– Genti Sheholli & Frontina Krasniqi

• 21:30 Koncert – Dren Abazi & Zig Zag Orchestra

Ndërsa, Aleanca Franceze në Prishtinë organizon, ditën e premte, më 22 qershor, në orën 19:00, në Sheshin Zahir Pajaziti një “blind test” (kuiz muzikor). Konkurrentët duhet të gjejnë titullin e pikave muzikore dhe interpretuesin sa më shpejt që të jetë e mundur.

Janë paralajmëruar shumë shpërblime për pjesëmarrësit.