Kulturë

Prishtina pas 4 vjetësh synon të jetë nikoqir i bienales së artit bashkëkohor “Manifestas”

Descriptive Text

Kryeqyteti synon që pas katër vjetësh të jetë nikoqir i një prej ngjarjeve më të rëndësishme të artit bashkëkohor. Komuna e Prishtinës tashmë ka dorëzuar dokumentet e nevojshme për ofertën e tyre rreth organizimit të bienales “Manifesta”.

Gjatë dy muajve të ardhshëm pritet që një ekip i këtij organizimi nga kjo ngjarje të vizitojë vendin për të parë mundësitë e organizimit të kësaj ngjarjeje, shkruan sot “Koha Ditore”.

Yll Rugova, drejtor i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, beson se për organizimin e një ngjarjeje të tillë vendi ka kapacitet sa u përket njerëzve, por edhe hapësirave. Ai ka thënë se ka shumë ndërtesa me interes që do të mundë të funksionalizoheshin përkohësisht dhe në mënyrë të përhershme për ekspozita dhe performanca të tjera. Ndërsa e vlerëson si formë shumë të mirë për promovimin e artit dhe artistëve vendorë, duke bërë kështu që vëmendja të kthehet në kryeqytet. E po ashtu një gjë e tillë, sipas tij, do të ishte mundësi e mirë për zhvillimin e turizmit.

“Manifesta” zakonisht mbledh një numër të madh të vizitorëve dhe artistëve në një vend. Ndryshe njihet edhe si “Bienalja Evropiane Nomade”, për shkak se ndryshon lokacionin në çdo edicion. Për herë të parë, në vitin 1996 zuri vend në Rotterdam, për të vazhduar më pas me Luksemburgun, Lubjanën, Frankfurtin, San Sebastianin, Nikozinë e vende të tjera. Edicioni i radhës, këtë vit, tashmë ka nisur në Palermo, ndërsa më 2020 do të mbahet në Marsejë... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)