Kulturë

Tiranë: Ekspozitë me dosjet e Sigurimit në jug

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit publikoi sot dhjetëra dosje me mijëra dokumente arkivore të përndjekjes së Sigurimit në jug të Shqipërisë për shumë figura të asaj krahine.

Ekspozita u realizua si bashkëpunim i Autoritetit të Dosjeve me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.

Drejtuesja e Autoritetit Genta Marra Sula tha që edhe pse në dukje një dokumentacion lokal, dosjet kishin një vlerë të madhe në shkallë kombëtare, sepse provonin ashpërsinë e Sigurimit të Shtetit ndaj personave me rëndësi dhe dinjitet në jugun e vendit.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës morën pjesë familjarë të dënuarve dhe persekutuarve politikë, shoqata të të përndjekurve politikë, studiues e politikanë, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor.

Për drejtorin e A.Q.SH. Ardit Bido, ekspozita është e rëndësishme, sepse ndricon procesin e diskriminimit dhe margjinalizimin e banorëve të Konispolit dhe më gjerë të jugut, si dhe shqiptarëve të Çamërisë, si vijimësi e një qëndrimi të paracaktuar kundër tyre.

Për fatet e shqiptarëve të Çamërisë dhe masakrat kundër tyre janë bërë disa botime me rëndësi nga Kastriot Dervishi, Robert Elsie, Beqir Meta, Luan Malltezi, Sherfi Delvina, apo Kaliopi Naska etj.

Ndërsa mijëra faqe dokumenta të ekspozuara sot për herë të parë janë një pasurim i mëtejshëm i të dhënave mbi persekutimin e shqiptarëve në jug të vendit, sidomos në zonat kufitare të Shqipërisë.