Kronikë

Habilaj e kishte mashtruar edhe Inteligjencën britanike, ishte prezantuar si refugjat nga Kosova

Me një çështje Habilaj të hapur në Shqipëri dhe Itali, ku pritet vendim i drejtësisë edhe për lidhjen me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, një tjetër “i fortë” me mbiemrin e bërë të famshëm falë trafikut të drogës, është shfaqur në buletinin e lajmeve kryesore të mediave angleze.

Daily Mail shkruan për një 40-vjeçar nga Vlora i quajtur Elidon Habilaj, i cili ka arritur të mashtrojë për vite të tëra shërbimet e inteligjencës, duke qenë njëkohësisht edhe një ish-oficer i tyre, pra Agjencisë së Krimeve të Organizuar (Soca).

Sipas mediave angleze Habilaj mbërriti në Angli me kamion në vitin 1998 duke pretenduar se ishte shtetas kosovar dhe përdori identitet të rremë, duke u hequr si Bekim Ademi. “Ai tregoi historinë e familjes së tij dhe tha se vëllain ia kishin torturuar deri në vdekje, ndërsa babai i ishte vrarë gjatë luftës së Kosovës”, lexohet në artikull, transmeton GSH.

Image

Habilaj pasi fitoi të drejtën e qëndrimit në Britani mbajti një profil të ulët publik, por në nëntor të 2001 fitoi azil politik dhe shtetësinë britanike 5 vite më vonë në 2006.

“Ai u punësua fillimisht në polici (Scotland Yard) e më pas arriti të bëhej oficer i Agjencisë së Krimeve të Organizuar (Soca) në Londër. Detyra e tij ishte të gjente kriminelë të dyshuar dhe të niste për ta procedurat e ekstradimit”, shkruan Daily Mail.

Raportohet gjithashtu se pas kontrollit të dosjes së tij, autoritetet britanike zbuluan një bazë të dhënash dhe mashtrimin e shqiptarit, për të cilin u vendos dënimi me 18 muaj burg në mungesë në vitin 2013, ndonëse kishte arritur të arratisej më herët.

Sipas “Daily Mail” ai ka jetuar në arrati për 6 vite dhe shërbimet e inteligjencës britanike për të cilat kishte punuar arritën ta gjenin në periferi të Vlorës pak javë më parë, aty ku mbikëqyrte ndërtimin e një resorti turistik në pronësi të tij.

“Ai nuk kishte vëlla, ndërsa babain e kishte gjallë”, shkruajnë me ironi mediat britanike.

Ndërkohë gazetarët e “Daily Mail” kanë provuar edhe të kontaktojnë me të, por Habilaj i ka përzënë duke i pyetur: “Kush ju ka dërguar? Kush ju solli këtu”.