Kronikë

Mbi 13 vjet burgim për 2 shtetas turq e një kosovar për kontrabandim me migrantë

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka bërë shpalljen e aktgjykimit pas marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë ndaj të akuzuarve.

Të akuzuarit me iniciale O.A. nga Turqia për veprat penale “krim i organizuar” dhe “kontrabandim me migrantë”, sipas Gjykatës Themelore të Prizrenit, i shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej pesë (5) viteve e gjashtë (6) muaj, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim si dhe i shqiptohet dënimi me gjobë në shumën prej pesëqind (500,00) euro.

Sipas Gjykatës Themelore të Prizrenit, rë akuzuarës me iniciale N.N. nga Turqia, për veprën penale “krim i organizuar” dhe “kontrabandim me migrantë” i shqiptohet dënimi me burg në kohëzgjatje prej pesë (5) viteve në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim si dhe i shqiptohet dënimi me gjobë në shumën prej pesëqind (500,00) euro.

Ndërkaq, të akuzuarit me iniciale B.F. nga Ferizaj, për veprën penale “krim i organizuar” dhe “kontrabandim me migrantë” i shqiptohet dënimi me burg në kohëzgjatje prej tre (3) viteve në të cilin dënim do t’i llogaritet po ashtu edhe koha e kaluar në paraburgim si dhe i shqiptohet dënimi me gjobë në shumën prej pesëqind (500) euro.

“Po ashtu të akuzuarve i shqiptohet dënimi plotësues. Nga të akuzuarit konfiskohen të gjithë telefonat celularë dhe SIM kartelat të cilat janë sekuestruar përkohësisht nga të akuzuarit e gjetur fajtorë dhe që është dëshmuar se janë përdorur për të kryer veprat penale”, thekson Gjykata Themelore e Prizrenit.

Gjykata bën me dije se më datën 1 tetor 2011 dhe në vitin 2012, në territorin e Kosovës, Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë, Italisë, Austrisë e Gjermanisë, të dënuarit e sipërpërmendur kanë kryer veprat penale “krimi organizuar” dhe “kontrabandim me migrantë”, duke siguruar dhe lëshuar dokumente të rrejshme udhëtimi apo identifikimi me qëllim të përfitimit financiar apo përfitim tjetër material, dhe duke mundësuar personat që nuk janë banorë të Kosovës që të hyjnë apo qëndrojnë në Kosovë, apo persona të cilët nuk janë shtetas apo banorë të përhershëm, të kalojnë kufirin duke shpërfillur kriteret e hyrjes së ligjshme dhe duke i organizuar dhe drejtuar persona të tjerë për kryerjen e veprave të njëjta, si dhe duke marrë pjesë në mënyrë aktive në aktivitetet e tjera të grupit të organizuar kriminal, duke e ditur se pjesëmarrja e tyre do të kontribuonte në kryerjen e krimeve të rënda, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejt ose të tërthortë të dobisë financiare ose dobisë tjetër pasurore.