Kronikë

Dënohen me burgim tre persona në Gjilan pasi rrahën një zyrtar të APK-së

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall Aktgjykim dënues ndaj tre të akuzuarve Sh. B., N. B. dhe S. B.

“Të akuzuarit në fjalë shqiptar të Republikës së Kosovës, me datë 01.09.2016 në fshatin Zhegovc të Komunës së Gjilanit, kanë pasur një mosmarrëveshje me të dëmtuarin S. Q. zyrtar në Agjencionin Pyjor të Kosovës, më pas nën kërcënimin e armës, i akuzuari Sh. B. godet disa herë në kokë të dëmtuarin, ndërkohë edhe dy të akuzuarit e tjerë godasin me mjete të fort në trupin e të dëmtuarit, me çka ka pësuar lëndime të rënda trupore, ku është dashur të marr ndihmën mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK)”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime i akuzuari Sh. B. dyshohet se ka kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Për këto dy vepra trupi gjykues ka shpall aktgjykim dënues, duke e dënuar me dy (2) vite burgim dhe gjobë 500 (pesëqind) Euro.

Të akuzuarit N. B. dhe S. B. për veprën penale lëndim i rëndë trupor, trupi gjykues ka shqiptuar dënim prej një (1) viti burgim.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij Aktgjykimi në Gjykatën e Apelit.