Kronikë

Boko Haram kryen sulm terrorist në Mali, vritet një shqiptar, dy të tjerë të plagosur

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës nëpërmjet Ambasadës së Kosovës në Senegal, ka marrë informacione se dje, në lokalitetin Gao në Mali, është kryer një sulm terrorist mbi veturën e punëtorëve të kompanisë “Ecolog”, e cila është nënkontraktuese e Misionit Paqeruajtës të OKB-së, MINUSMA.

Sipas informacioneve të siguruara nga MPJ, nga sy sulm terrorist ka mbetur i vrarë E.I. nga Tetova/Republika e Maqedonisë, ndërsa të plagosur, por jashtë rrezikut për jetën kanë mbetur D.M., shtetas i Republikës së Kosovës me vendbanim në Fushë-Kosovë dhe B.L., gjithashtu nga Tetova.

MPJ është njoftuar se të plagosurit janë në transfer e sipër për shërim në spital në Dakar/Senegal, ndërsa tashmë i ndjeri E.I. është në riatdhesim e sipër.

Ambasada e Kosovës në Senegal dhe Ambasadori Ramadan Gashi janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet përgjegjëse në lidhje me sigurimin e informatave se ku do të vendosën të plagosurit dhe në momentin, që të sigurohen informacione të tilla ai pritet që t’i vizitojë ata në spital.

Ministria e Punëve të Jashtme, sipas informacioneve të para të siguruara, dyshon se sulmi është kryer nga Organizata Terroriste Boko Haram.