Kronikë

1 muaj paraburgim për dy të dyshuar për planifikim të një sulmi ndaj KFOR-it në Prishtinë

Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar nga një muaj paraburgim dy të dyshuarve që dyshohen për kryerjen e disa veprave terroriste në Kosovë.

Gjykata ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar se më 2 qershor  i pandehuri G.SH me dashje direkte i ka bërë thirrje të pandehurës E.H, në drejtim të përgatitjes së akteve terroriste në Kosovë, duke udhëzuar që të bëjnë sulm vetëvrasës me materie eksplozive me automjet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, në Kosovë dhe vende tjera të frekuentuara me qytetarë e duke planifikuar edhe furnizimin me armë të zjarrta dhe materieve eksplozive me qëllim të kryerjes së aktit terrorist.

Po ashtu i pandehuri G.SH dyshohet se gjatë muajit maj deri më datën  2 qershor me dashje direkte ka planifikuar përgatitjen e akteve terroriste në Belgjikë dhe në Francë meqë është edhe shtetas belg, duke planifikuar sulm vetëvrasës në vende të frekuentuara me qytetarë e që edhe me implementimin e masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit përkatësisht monitorimin e bisedave në vende publike dhe private nga ana e Policisë së Kosovës, në Prishtinë, i njëjti është arrestuar më 5 qershor.

E pandehura E.H gjatë muajit maj deri më datë 02.06.2018 e tutje, në bashkëveprim me të pandehurin G.SH, është përfshirë në veprime inkriminuese të përgatitjes së akteve terroriste në Kosovë, duke planifikuar të bëj sulm vetëvrasës me materie eksplozive në automjet ndaj forcave të KFOR-it në Kosovë, si dhe vendeve tjera të frekuentuara me qytetarë e duke u furnizuar me armë të zjarrtë dhe materie plasëse me qëllim të kryerjes së aktit terrorist.

Gjykata ka analizuar të gjitha arsyet mbi caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve G.SH dhe E.H si dhe ka marrë parasysh kushtet e përcaktuara për masat konkrete për ta siguruar praninë e të pandehurve dhe pas analizimit të tyre, ka konstatuar se masa e paraburgimit është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës penale, për zhvillimin e pa penguar të procedurës dhe sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë penale, bazuar në nenet 187 par.1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.