Kronikë

Shtatë vjet e gjysmë burg për vrasjen para shtatë vjetësh

Descriptive Text

Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda sot ka shpallur Aktgjykimin, PKR.nr.39/13, më të cilin i akuzuari P.R është shpallur fajtor dhe i është shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej shtatë (7) vite e gjashtë (6) muaj, njofton kumtesa nga Gjykata, transmeton Koha.net.

Gjykata paraprakisht ka gjetur se i akuzuari P.R është fajtor sepse me dt.29.11.2010, rreth orës 22:30 në lokalin e tij “Te Shfaba” në rrugën “Edmond Hoxha” në Prishtinë, pas një konflikti me tani të ndjerin F.G i cili ishte së bashku me tre të pandehur tjerë, kishte filluar një përleshje fizike mes tyre duke u gjuajtur me shishe të birrës, grushte dhe shqelma ku i akuzuari P.R kishte marr lëndime trupore, ndërsa i ndjeri F.M me tre të pandehurit ishin larguar nga lokali.
I akuzuari P.R kishte marr revolen në banakun e lokalit të tij dhe kishte gjuajtur disa herë në drejtim të tyre me ç ‘rast kishte qëlluar tani të ndjerin F.G i cili kishte mbetur i vrarë në vendin e ngjarjes.

Me këtë veprim i akuzuari P.R ka kryer veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 147 par.4 të KPK-së, si dhe veprën penale, Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve, nga neni 328 par.2 të KPK-së.

Të akuzuarit në dënimin e shqiptuar i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga dt.29.11.2011, dhe të njëjtit i është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën së Apelit të Kosovës .