Kronikë

Një person plagoset pas gjuajtjeve me armë në Hajvali, dy të arrestuar

Foto: Koha / Ilustrim

Në fshatin Hajvali të Prishtinës një person është plagosur pas disa të shtënave me armë zjarri, me ç’rast janë arrestuar dy persona, raporton Koha.net.

Këtë e bën të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili thotë se rasti ka ndodhur sot rreth orës 15:20.

“Më 08.04.2018 rreth orës 15:20 në fshatin Hajvali, pas disa të shtënave me armë zjarri nga persona të panjohur, lëndime trupore ka pësuar viktima mashkull shqiptar (viti i lindjes 2000), i cili është dërguar për tretman mjekësor në QKUK kurse në vendngjarje janë gjetur dhe konfiskuar dy gëzhoja”, ka thënë Hoxha për Koha.net.

Ai më tutje ka konfirmuar se janë arrestuar dy të dyshuar.

“Në lidhje me rastin janë arrestuar dy të dyshuar, burra shqiptarë, përderisa njësitet relevante policore janë duke kryer procedurat hetimore për të sqaruar rrethanat dhe motivet e rastit”, ka thënë ai.