Kronikë

Nxënësi shkon me armë në shkollë në Suharekë

Descriptive Text

Një nxënës fillorist ka shkuar në shkollën “Naum Veqilharxhi” në Krushicë të Suharekës, i armatosur me një revole me pesë fishekë.

Policia e Kosovës kishte marrë informatën se nxënësi kishte marrë me vete revolen e llojit CZ M-67 me pesë fishekë.

Sipas hetuesve që janë marrë me hetimin e rastit thuhet se: “pasi drejtori i shkollës ka kuptuar për armën e ka thirr prindin e nxënësit dhe të njëjtën ia ka dorëzuar me ç’ rast prindi armën e ka marrë me vete në shtëpi”.

“Ndërkaq, pas një jave, pasi që policët i kanë trokitur në derë për ta kërkuar armën, i dyshuari në mënyrë vullnetare e ka dorëzuar të njëjtën me 23 fishekë të kalibrave të ndryshëm”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Me urdhër të prokurorit të shtetit rasti procedohet sipas procedurës së rregullt ndërsa hetuesit po punojnë për zbardhjen e rrethanave dhe përgjegjësisë për secilin që është i përfshirë në rast.