Kronikë

Tentativa e grabitjes në Fier kthehet në luftë me policinë, një i vdekur

Descriptive Text

Një tentativë grabitjeje në qytetin e Fierit ka përfunduar në shkëmbim zjarri mes personave të maskuar dhe efektivëve të policisë së Shqipërisë. Një i vdekur dhe një i plagosur nga lufta në orët e para të mëngjesit.

Në orën 03:00 të së premtes, policia u njoftua se në lagjen “29 Nëntori”, pranë banesës së shtetasit M.M., disa persona kanë tentuar të hyjnë brenda shtëpisë duke thyer drynin e derës. Me të mbërritur në vendngjarje, policët janë përballur me disa persona të maskuar e të armatosur me pistoleta e automatikë, të cilët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre. Efektivët janë kundërpërgjigjur dhe nga shkëmbimi i zjarrit, njëri nga autorët ka gjetur vdekjen dhe një tjetër është plagosur, transmeton tch.

Të dy ata ishin të maskuar e të armatosur me pistoleta, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Autorët e tjerë, që dyshohet se janë edhe dy, duke qëlluar në drejtim të punonjësve të policisë janë larguar duke përfituar nga errësira dhe kushtet e motit, me një mjet ende të paidentifikuar.

Nga radhët e Policisë së Shtetit nuk ka të lënduar.

Menjëherë janë ngritur pika të shumta kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e qytetit dhe po vijon puna për kapjen e autorëve të tjerë. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një numër i konsiderueshëm provash materiale. Nën drejtimin e një grupi të posaçëm të Prokurorisë, i cili gjendet në vendngjarje, po vazhdon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.