Apeli kthen në rigjykim rastin e Zahir Bajramit dhe djalit të tij

Apeli kthen në rigjykim rastin e Zahir Bajramit dhe djalit të tij

13 mars 2018 15:34

Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim rastin e të akuzuarve Zahir Bajrami dhe djalit të tij, Ardianit, të cilët ishin dënuar muaj më parë nga Gjykata Themelore në Prishtinë për shkak të veprës penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Ish-zyrtari qeveritar, Zahir Bajrami ishte dënuar me 1 vjet e gjashtë muaj burgim, ndërsa djali i tij Ardiani ishte dënuar me një vit burgim. Ardian Bajrami ishte obliguar që të paguante edhe gjobë prej 10 mijë eurove.

Sipas njoftimit nga Gjykata e Apelit, është gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë është kundërthënës me arsyetimin e aktgjykimit dhe përmbajtjen e shkresave të lëndës, ngase nuk janë paraqitur arsyet mbi faktet vendimtare.

Bazuar në aktakuzë, Zahir Bajrami, i suspenduar nga pozita e drejtorit të Zyrës për Buxhet dhe Financa, përmes djalit të tij Ardianit, ia kishte marrë 10 mijë euro të dëmtuarit Elsadat Musliji, duke i premtuar se do të ndikojë për t`ia hequr dënimin me burg në Gjykatë të Apelit. Ardian Bajrami, sipas aktakuzës në fillim ia ka marrë Muslijit 10 mijë euro dhe pastaj ia ka kërkuar edhe 10 mijë euro tjera për t`ia hequr dënimin prej dy vjetësh burgim, që i është shqiptuar nga gjykata.

Ata janë arrestuar në shkurt të vitit te kaluar. Ardian Bajrami është zënë me 10 mijë eurot e shënjuara nga policia. Që të dytë i kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme