Kronikë

Hajnat lëndojnë një grua në një pikë transferi parash në Prishtinë

Një grua është lënduar pasi që hajnat kanë hyrë në një biznes të shkëmbimit të parave.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen Dardania në Prishtinë, sot pasdite, saktësisht në orën 12:47.

Lajmin e ka konfirmuar për KTV-në, drejtori i urgjencës në Prishtinë, Bujar Gashi. Sipas tij, gruaja ka marrë lëndime në hundë.

Merret vesh se viktima është 63 vjeçja me inicialet A. I, dhe e njëjta, siç mësohet, ka qenë duke tërhequr para nga kjo pikë transferi parash. Hajnat kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

Policia e Kosovës ka konfirmuar sulmin ndaj gruas dhe grabitjen.

“Ju informojmë se sot me datë 10.03.2018 rreth orës 12:45 fillimisht është raportuar për një vjedhje në një lokal në rrugën ‘Bill Klinton’ në Prishtinë. Njësia policore menjëherë iu ka përgjigjur rastit dhe ende pa arritur në lokacion kemi marrë informata shtesë se kemi të bëjmë me grabitje”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

“Një femër dyshohet se si pasojë e sulmit gjatë grabitjes ka marrë lëndime trupore në kokë. Policia është duke u marrë me rastin dhe po kryen hetimet e nevojshme për identifikimin e të dyshuarve të mundshëm të involvuar në këtë rast”, ka thënë ai.